Sindikalistët i kanë kualifikuar si skandaloze deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës duhet t’i paguajë ata punonjës që janë në grevë. Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se synimi i Muratit është ngufatja e sindikatave.
“Kur doli z. Hekuran Murati, të cilin e kemi lutur me muaj të tërë për dialog dhe tha se ai paska guxim të tentojë ta ngufasë zërin sindikal dhe t’ua mohojë të drejtën legjitime që është e garantuar edhe me Kushtetutë, ai si duket nga krenaria dhe krekosja nuk e ka lexuar Ligjin e Grevave në Kosovë, i cili grevat e ligjshme, siç është e jona, i mbron, i garanton dhe askush nuk ka të drejtë jo me mëditje e me paga, por asnjë cent t’ua ndalë grevistëve”, tha Jasharaj.
Sindikalistët kanë thënë se Qeveria po seleksionon nene të ligjit për t’i goditur grevistët. Ata i janë referuar normës, sipas së cilës Ekzekutivi nuk mund të prekë në xhepin e punonjësve.
“Neni 13, që është neni të cilit duhet t’i referohen, thotë: për organizuesit e grevës, pjesëmarrësit grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’i ndërpritet marrëdhënia e punës”, tha Ali Sefaj, udhëheqës i Sindikatës të Shërbyesve Publikë.
Përfaqësues të sindikatave u kanë bërë thirrje zyrtarëve institucionalë të mos ia japin listat e grevistëve Ministrisë së Financave, Punës e Transfereve, e cila i ka kërkuar me synimin për t’i ndalur mëditjet për secilën ditë të grevës.
“Dëshiroj të apeloj te të gjithë zyrtarët publikë të cilëve dje i ka shkuar një nga një zyrtar i Ministrisë për Buxhet dhe Financa që asnjë listë të mos e nënshkruajë, asnjë listë të mos e kompletojë dhe në të njëjtën kohë apeloj edhe te udhëheqësit, zyrtarët e lartë administrativë e këtyre kërcënimeve, këtyre interferimeve pasi ky është një presion i radhës që po u bëhet”, tha Ali Gashi, kryesues i Këshillit Drejtues të SBASHK-ut.
Përfaqësuesit sindikalë kanë thënë se greva ka qenë e paevitueshme, pasi kanë theksuar se Qeveria nuk u ka lënë shteg tjetër. Po kështu, kanë theksuar se kanë marrë edhe mbështetje të organizatave joqeveritare dhe të juristëve për t’iu ndihmuar në përfaqësim ligjor nëse Qeveria vendos t’i ndëshkojë me pagë grevistët.