Inva Mulën, anëtare e Këshillit përgatitor për Operën e Kosovës, e Laszlo Domjanin, këshilltar i zëvendësministrit të parë, Agjencia Kundër Korrupsionit i kishte futur në listën e mosdeklarimit për vitin 2022.
Ata janë ndër shtetasit e huaj që pritet të lirohen nga deklarimi i pasurisë në bazë të raportit me amendamente të projektligjit, që kaloi të martën në Komisionin parlamentar për Legjislacion.
Sipas kryetarit të këtij komisioni dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kjo është e logjikshme, pasi “Antikorrupsioni” s’mund ta verifikojë e ta hetojë pasurinë jashtë vendit dhe u krijon komoditet më të madh figurave mbështetëse të Kosovës jashtë vendit.
“Agjencia ka dërguar një propozim shtesë...Në nenin 4 që të shtohet një paragraf me tekstin si në vijim: zyrtarët e lartë të emëruar me vendim dhe që nuk posedojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës, nuk janë të obliguar për deklarim të pasurisë. E kanë shpjeguar edhe në arsyetimin që e kanë dhënë dhe ka sens, domethënë në kuptimin e implementimit që është thuajse i pamundur trajtimi, hetimi, verifikimi, e cenon, le të themi, edhe një dimension, të themi kështu, të rëndësishëm të dinjitetit edhe të shtetit, sepse përgjithësisht bëhet fjalë për figura të rëndësishme që mund të angazhohen, qoftë si ambasadorë ose në njëfarë impakti që e ka te kjo përmasa ndërkombëtare e manifestimit të subjektivitetit të shtetit”, është shprehur Rrustemi.
Projektligji që e ka kaluar Komisioni ka paraparë edhe që asamblistët të mos obligohen ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Digjitalizimi i procesit, siç ka treguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, është po ashtu risi që sjell ky projektligj.
“E para, deklarimi i pasurisë do të bëhet në formë elektronike dhe në këtë aspekt dukshëm do të lehtësohet puna e agjencisë në kontrollin e pasurisë, nuk besoj që ka nevojë të shkojmë fizikisht... asamblistët komunalë nuk kanë detyrim për të deklaruar më pasurinë. E dini që ka qenë një procedurë e gjatë. Kemi pasur debat në raport me atë se a duhet të jenë asamblistët që janë pjesë e komiteteve për politikë dhe financa, mirëpo jemi dakorduar që të shkojmë në këtë vijë”, ka thënë Tahiri.
mbledhjes së këtij komisioni kanë kaluar te komisionet funksionale edhe Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Po ashtu, është miratuar edhe raporti i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. Drejtues të këtij institucioni kanë thënë se është e domosdoshme mbështetja financiare shtetërore për zyra në komuna si Podujeva e Klina, për t’iu ofruar ndihmë ligjore personave të cenueshëm e në kushte të vështira ekonomike.