Juristë dhe njohës të ligjit kanë kërkuar që prokuroritë dhe gjykatat të mos mbështeten në interpretimin e Gjykatës Supreme, në bazë të të cilit qindra zyrtarë janë liruar nga përgjegjësia penale për mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë. Në prezantimin e raportit të IKD-së me titull: “Gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit”, është thënë se ky vendim është nxjerrë duke u bazuar në një nen të shfuqizuar dhe se kjo po e dëmton ndjekjen e veprave penale të korrupsionit
Të mos zbatohet interpretimi i Gjykatës Supreme, ka qenë rekomandimi që është nxjerrë nga juristë dhe njohës të ligjit gjatë një paneli diskutimi, në të cilin është prezantuar raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), “Gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit”.
Ky raport e trajton një vendim të Gjykatës Supreme, i cili duke u mbështetur në një nen të shfuqizuar të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, ka liruar nga përgjegjësia penale zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë ose e deklarojnë rrejshëm, duke e konsideruar si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.
Burim Ademi, gjyqtar në Supreme, ka thënë se vendimi i vitit 2024 nuk duhet të konsiderohet si bazë e vetme e ndërtimit të praktikës gjyqësore dhe ka shtuar se meqenëse ekziston baza ligjore, prokuroritë dhe gjykatat duhet t’i trajtojnë rastet e mosdeklarimit të pasurisë, ashtu që vendimi të shkojë sërish në Supreme dhe që problemit t’i jepet zgjidhje efektive.
“Prokuroria duhet t’i procedojë çështjet, mendoj unë. Dhe po ashtu gjykatat e rregullta, mendoj unë, se duhet t’i trajtojnë, sepse nuk ndërtohet praktika gjyqësore mbi bazën e një rasti të vetëm në çfarëdo konteksti që është bërë interpretimi i aspektit ligjor”, ka thënë ai gjatë tryezës të së enjtes, të organizuar në kuadër të aktiviteteve për Javën Kundër Korrupsionit.
Afrim Atashi, i cili është drejtor në Departamentin për Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), është shprehur se pas vendimit të Supremes, kallëzimet penale që i bën Agjencia në Prokurori nuk merren parasysh, duke u bazuar pikërisht në vendimin e Gjykatës Supreme.
Ai ka thënë se kjo praktikë i ka cenuar edhe kompetencat e APK-së.
“Në njëfarë mënyre edhe vetë ekzistencën e institucionit nuk e arsyeton, për shkak se agjencia është e thirrur të bëjë kallëzime penale për mos deklarim të pasurisë apo deklarim të rrejshëm dhe në këtë kuptim pothuajse të gjitha kallëzimet penale që jemi duke i bërë kohëve të fundit janë hedhur mbi 90% poshtë dhe 90% prej tyre e përmendin vendimin e Gjykatës Supreme”, ka theksuar Atashi.
E Arianit Salihu, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka theksuar se nuk mund të bëhet shmangia nga vendimi i Supremes.
“Prokurori i Shtetit natyrisht që duhet të zbatojë standardet e vendosura nga ana e Gjykatës Supreme apo gjykatave të tjera në rastin e trajtimin e lëndëve që i kemi në fuqi, deshëm apo s’deshëm unifikimin e praktikave gjyqësore e bëjnë gjykatat dhe ne si prokurori jemi të obliguar të jemi në vijë me praktikat e vendosura nga ana e gjykatave tona”, është shprehur Salihu.
Por autori i raportit, Gëzim Shala, i cili është hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se vendimi i Supremes ka shkaktuar dëm të madh në procese.
“Ky vendim i Gjykatës Supreme që, sipas kësaj analize, del të jetë një gabim gjyqësor i referuar në një dispozitë të shfuqizuar ka pasur efektin domino në të gjithë sistemin e drejtësisë duke i lënë pa përgjegjësi personat që kryejnë këtë vepër penale në atë mënyrë që janë hedhur të gjitha kallëzimet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit apo janë nxjerrë aktgjykime liruesi”, ka thënë Shala.
Në prill të 2024-s, Gjykata Supreme ka prapësuar vendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit për dënimin e një ish-zyrtari publik për mosdeklarim të pasurisë.
Për këtë aktgjykim lirues Supremja është bazuar në nenin 17 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë nga Zyrtarët Publikë, i shfuqizuar me plotësim-ndryshimin e bërë më 2014.
Për 10 vjet zyrtarë publikë janë dënuar për mosdeklarim dhe për deklarim të rrejshëm të pasurisë. E nga viti 2024, me qindra zyrtarë nuk janë ndjekur penalisht, për shkak se Supremja e ka vlerësuar vetëm si kundërvajtje.
Raporti i publikuar të enjten nga IKD-ja përfshihen edhe katër rekomandime, sipas të cilave Prokurori i Shtetit dhe gjykatat nuk duhet të ndjekin interpretimin e Gjykatës Supreme; Gjykata Supreme duhet të miratojë një qëndrim juridik parimor; Prokuroritë duhet të zhvillojnë ndjekjen, për t’i dhënë mundësi Supremes që të nxjerrë një vendim të dytë për këtë çështje dhe gjykatat duhet të ndjekin një politikë ndëshkimore në përputhje me Kodin Penal.