“Vetëm pak kohë më parë kjo ishte diçka që dukej e pamundur”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë me ministren e Jashtme daneze, Marie Bjerre, dhe komisioneren për zgjerim të BE-së, Marta Kos. “Jam absolutisht i frymëzuar nga të gjithë këta muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit apo procesi i ribashkimit të Evropës po merr”, ka shtuar Rama
Shqipëria ka hapur të hënën kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Grupkapitujt “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” u hapën gjatë konferencës së shtatë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e cila u mbajt në Bruksel.
“Vetëm pak kohë më parë, kjo ishte diçka që dukej e pamundur”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë me ministren e Jashtme daneze, Marie Bjerre, dhe komisioneren për zgjerim të BE-së, Marta Kos.
“Jam absolutisht i frymëzuar nga të gjithë këta muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit apo procesi i ribashkimit të Evropës po merr. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe, për të dhënë rezultate dhe për t’u siguruar që ky proces i përbashkët që po e ndërtojmë me partnerët tanë këtu në Bruksel dhe me partnerët tanë në shtetet anëtare të mos ndalet”, tha Rama.
Komisionerja Kos e vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria e cila, sipas saj, solli hapjen e grupkapitujve të fundit.
“Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE. Suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave të rëndësishme”, tha ajo.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014, ndërsa negociatat për anëtarësim i nisi zyrtarisht në vitin 2022.
Konferenca e së hënës shënoi përmbylljen e ciklit të hapjes së gjashtë grupkapitujve dhe pritet t’i hapë rrugë finalizimit të procesit teknik deri në vitin 2027.
Pas kësaj faze Shqipëria do të kalojë në procesin politik të integrimit, i cili kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
BE-ja shpreh optimizëm se Shqipëria mund ta përfundojë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa Rama e ka bërë tashmë anëtarësimin në BE prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt.
Optimizëm ka edhe për rrugëtimin e Malit të Zi, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë më prapa.
Kosova është e vetmja prej tyre që nuk e ka ende as statusin e vendit kandidat.