(Tekst i përditësuar) - Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Grupkapitujt “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë kapitullin 11 - bujqësia dhe zhvillimi rural, 12 - siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria, 13 - peshkimi dhe akuakultura, 22 - politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore dhe 33 - dispozitat financiare dhe buxhetore, janë hapur në konferencën e shtatë ndërqeveritare që është mbajtur në Bruksel në mes të Shqipërisë dhe BE-së.
Kryeministri Edi Rama, ka thënë se një vit më parë, hapja e të gjithë kapitujve në një kohë kaq të shkurtër dukej si ëndërr.
Nga Bruskeli, Rama, në konferencë me ministren e Jashtme daneze Marie Bjerre dhe komisioneren për zgjerim Marta Kos, ka deklaruar se tanimë kjo është realitet me një plan pune.
“Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit, ose ribashkimit, po merr. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ecur para me të njëjtin intensitet. Disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe për të dhënë rezultate dhe për të siguruar që ky proces të mos ndalet”, është shprehur Rama, shkruan A2CNN.
Ai ka thënë se do të bëjnë gjithçka që Shqipëria të jetë aty ku duhet të jetë.
Komisionerja për zgjerim Marta Kos, e ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria, e cila sipas saj, solli hapjen e grupkapitujve të fundit.
"Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për Bashkimin Evropian. Ky sukses nuk do ishte i mundur pa angazhimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithë shteteve anëtare për të mbështetur Shqipërinë. Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE, suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoritetve për zbatimin e reformave të rëndësishme”, ka theksuar Kos.
Shqipëria më parë ka hapur edhe pesë grupkapituj negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Agjendën e Gjelbër, raporton A2CNN.
BE-ja ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapi zyrtarisht negociatat procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor në të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria hapi bisedimet për grupkapitullin e pestë, Agjendën e Gjelbër.
Konferenca e sotme është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.