Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në konferencat e përbashkëta është vlerësuar puna e bërë, derisa është thënë se Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e pret një rrugë e re e reformave që duhet bërë e po ashtu një varg përfitimesh nga BE-ja.
Një rrugëtim i ri për Shqipërinë ka nisur këtë të martë.
Me hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, Shqipëria është një hap larg anëtarësimit në BE.
Së bashku me Shqipërinë, këtë rrugëtim e nisi edhe Maqedonia e Veriut.
Para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, përfaqësuesit evropianë meritat ia atribuuan popujve të të dyja shteteve.
“Do të ketë një rritje të investime, do të ketë bashkëpunime në fusha kyçe si energjia dhe transporti, ju do të maksimizoni impaktin e fondeve të BE që do të thotë punësime të reja, mundësi të reja dhe pikërisht për këtë kanë pritur kaq gjatë qytetarët e juaj, kanë punuar kaq shumë dhe që e meritojnë”, ka thënë Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
“Në Evropën e sotme ne duhet të jemi bashkë gjatë gjithë kohës. Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë të jetë e tillë”, është shprehur kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.
Premtime se do të ndërtojnë shtete demokratike e evropiane dhanë liderët e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
“Shumë faleminderit popullit i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti për ndjekjen e rrugëtimit evropian dhe qëndruan të fortë pas tre vitesh shumë të ndërlikuara ku refuzimet nga Këshilli i Evropës dhe tërmeti, pandemia, lufta në anën tjetër krijuan një situatë vërtetë të vështirë, por na forcuan më shumë se që ishim”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Besoj që ky fillim i ri për rajonin do të jetë begati dhe progres dhe ku ka progres në një vend kjo do të nxisë progresin te fqinjët e tjerë. Ne do të vijojmë me të njëjtën dinamikë të bashkëpunimit rajonal dhe aktualisht do të vijojmë siç kemi bërë deri tash në mënyrë të shkëlqyeshme, në interesin e qytetarëve tanë”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë e Maqedonisë, sipas përfaqësuesit të lartë të BE-së, është mesazh edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Duke filluar procesin e negociatave Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së dhe me këtë Shqipëri, BE-ja po merr një hap të rëndësishëm të plotësimit të vet. Ballkani Perëndimor është tej mase i rëndësishëm për BE-në dhe ky është një moment në të cilën kjo rëndësi po tregohet”, ka thënë Josep Borrell.
Atë se çfarë po ndodhte tha se vështirë po e beson kryeministri Edi Rama.
Në konferencën ndërqeveritare, Rama tha se nuk ka rrugë tjetër përveç BE-së.
“Është e vështirë të besoj se kjo po ndodhë. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare, megjithatë të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje. Ju e dini të gjithë shumë mirë se në Shqipëri nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka por ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër përveç Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Rama.
Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është mirëpritur nga liderë të tjerë evropianë e rajonalë.