Shoqëria civil ka vlerësuar se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen për zgjedhjen e presidentit përbën një cenim serioz të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare. Sipas tyre, seanca u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën dhe një prej proceseve më të rëndësishme shtetërore u kthye në lojë politike.
Cenim serioz të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare e ka quajtur shoqëria civile situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen për zgjedhjen e presidentit.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, përmes një reagimi, vlerëson se procesi për zgjedhjen e presidentit, që duhej të reflektonte standardet më të larta të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale, është karakterizuar nga një improvizim procedural dhe me interpretim të gabuar të normave juridike.
“Së pari, mungesa e kuorumit për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm vetë zhvillimin e procedurës. Kushtetuta kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e seancës dhe zhvillimin e dy raundeve të para të votimit, ndërkohë që në sallë kanë qenë vetëm 64 deputetë. Në këto rrethana, çdo veprim i mëtejshëm procedural përbën një precedent të rrezikshëm që cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës dhe krijon hapësirë për anashkalimin sistematik të rregullave kushtetuese”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Vazhdimin e votimit për presidentin pa përmbushur kriterin e pranisë së 2/3 të të gjithë deputetëve, në Grupin për Studime Juridike dhe Politike e kanë cilësuar si rrezik për rendin demokratik.
Sipas GLPS-së, seanca u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën.
“GLPS rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon interpretime politike të përshtatura sipas interesit të momentit, por imponon detyrime të qarta dhe të padiskutueshme. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë kërkesë, qoftë përmes interpretimeve procedurale të zgjeruara apo përmes vazhdimit të seancave pa përmbushjen e këtij kushti, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Një qasje e tillë nuk është vetëm e papërgjegjshme, por e rrezikshme për rendin demokratik, sepse normalizon shkeljen dhe e vendos vendin në një trajektore ku normat kushtetuese zëvendësohen nga arbitrariteti politik”, u tha nga GLPS.
Edhe
GLPS: Votimi pa kuorum për president, rrezik për rendin demokratik
E në Lëvizjen FOL thanë se zgjedhja e presidentit nuk është një veprim i rëndomtë politik, por procedurë e veçantë kushtetuese, e cila duhet të zhvillohet vetëm në përputhje të plotë më Kushtetutën.
“Shkelja me paramendim dhe me qëllim e Kushtetutës përbën akt shumë të rrezikshëm dhe të paprecedent në historinë e re të Republikës. Një veprim i tillë nuk është vetëm gabim procedural; është goditje ndaj parimit se pushteti buron nga Kushtetuta dhe ushtrohet vetëm brenda kufijve të saj. Prandaj, fillimi apo vazhdimi i votimit pa praninë e së paku 80 deputetëve në sallë nuk mund të konsiderohet thjesht si çështje procedurale e brendshme e Kuvendit. Një veprim i tillë prek drejtpërdrejt rendin kushtetues, sepse synon të prodhojë pasoja juridike në mungesë të kushteve themelore që Kushtetuta kërkon për këtë proces”, thuhet në reagimin e Lëvizjes FOL.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit të Kosovës afat prej 34 ditësh për të zgjedhur presidentin. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.
-
IKD: Procesi për zgjedhjen e presidentit, cenim serioz i rendit kushtetues
-
KDI: Zgjedhja e presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon rendin kushtetues
- Presidenti nuk është konsensual
- Të shpëtohet shteti nga vetëshkatërrimi: Pse Gjykata Kushtetuese duhet ta rrëzojë precedentin e vitit 2011 përpara se të jetë shumë vonë