LAJMET E MBRËMJES

Serbia akuzon Perëndimin, por edhe Kurtin se nuk dëshiron të negociojë për asgjë

Akuza ndaj shteteve tjera perëndimore ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai në një intervistë për televizionin “Pink”, tha se këto vende po pajtohen me gjithçka po bën Kurti. E kryenegociatori i këtij vendi, Petar Petkviq, akuzoi Kurtin se nuk dëshiron të negociojë për asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar shtetet perëndimore se po pajtohen me gjithçka po bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai në një intervistë për televizionin “Pink”, ka thënë se pret presion shtesë ndaj Beogradit për procesin e dialogut, porse sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet.

“Ata në thelb u pajtuan me gjithçka që po bën Albin Kurti dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka që ata duhet ta bëjnë patjetër sepse marrëveshja për të është nënshkruar dhjetë vjet e gjysmë më parë dhe sepse ne insistojmë në themelimin e Asociacionit”, ka theksuar Vuçiq.

Ai, teksa iu përgjigj presionit në rritje të opozitës në Serbi për zgjedhje, tha se ato mund të mbahen në marsin e vitit të ardhshëm.

Për dialogun, të hënën foli edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka akuzuar Kurtin se nuk dëshiron të negociojë për asgjë.

“Thotë se kafen nuk e jep pa filxhan, nuk është negociatë për të pirë kafe, Kurti ua ka mjeruar jetën serbëve në Kosovë”, ka deklaruar Petkoviq.

Petkoviq tha se akuzat e Kurtit ndaj Bashkimit Evropian po bëhen pasi Brukseli, sipas tij, e ka bërë kryeministrin e Kosovës përgjegjës për dështimin e raundit të fundit të negociatave, të zhvilluara më 14 shtator.