Aleanca veriatlantike nuk ka plane për zvogëlim të trupave të saj në Kosovë. Admirali Giuseppe Cavo Dragone gjatë një vizite në Kosovë ka thënë se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, një nga figurat e larta të NATO-s dhe kryetar i Komitetit Ushtarak të kësaj aleance, ka thënë se nuk ka plane për reduktimin e trupave në Kosovë që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Sipas tij, misioni i NATO-s në Kosovë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës.
“Misioni në Kosovë është sigurisht shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës, për përkushtimin që NATO-ja ka për sigurimin e një ambienti të sigurt e të rregullt për gjithë Kosovën. Kam ardhur këtu me gjithë Komitetin Ushtarak, pra 32 gjeneralë dhe admiralë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s, që ata të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin në terren. Tani ata i dinë gjërat për vendin tuaj, atë që ndodh këtu, kjo sigurisht do të jetë shumë e dobishme kur ne takohemi dhe marrim vendimet tona”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për kapacitetet ushtarake në një intervistë për transmetuesin publik, Dragone e përmendi edhe angazhimin më të madh të personelit në zona të caktuara operimi, e edhe shtimin e trupave gjatë incidenteve në veri më 2023.
“NATO-ja bën rishikimin e misioneve çdo vit për të vlerësuar se si funksionojnë, si angazhohet personeli në zona të caktuara operimi, e këtë e bëjmë në baza periodike, pra nuk ka ndonjë befasi. Për t’ju dhënë një shembull, në anën tjetër, në vitin 2023, në fund të vitit, kur ndodhi ai incidenti në pjesën veriore, NATO-ja vendosi që të zgjerojë, të rrisë misionin me 1.000 trupa shtesë. Kjo do të thotë që jemi fleksibil në këtë kuptim, por sinqerisht, për aq sa kuptoj unë deri më sot, nuk ka ndonjë plan reduktimi të trupave”, ka thënë Dragone.
Edhe
NATO-ja thotë se s’ka plane për reduktim të trupave në Kosovë
Për tërheqje të trupave ndërkombëtare nga Kosova është folur shumë herë.
Kjo temë së fundi u aktualizua kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të tërheqë vendin e tij nga NATO-ja.
-
NATO-ja planifikon zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas konstatimit për përmirësim të situatës së sigurisë
-
Rutte: Do të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm
-
NATO e Pentagon: Nuk konsiderohen ndryshime të rëndësishme te misioni i KFOR-it
-
Komandanti i KFOR-it njofton Beogradin për reduktimin e trupave në Kosovë pas përmirësimit të gjendjes