LAJMET E MBRËMJES

Rashiq kërkon lirimin e Radomiroviqit, alarmon për përndjekjet nga Vuçiqi

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kërkuar lirimin e Nikola Radomiroviqit, drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Leposaviqit, i cili është ndaluar një ditë më parë nga autoritetet serbe. Në një konferencë për media, ai ka kërkuar edhe ndalimin e represionit ndaj serbëve të Kosovës që nuk i përkrahin pushtetin aktual në Beogradi dhe Listën Serbe.

Lirimin sa më parë të drejtorit të Administratës të Komunës së Leposaviqit, Nikola Radomiroviq, që po mbahet në Rashkë, e ka kërkuar ministri Nenad Rashiq.

Në një konferencë për media ai u ka kërkuar të gjithë njerëzve që mund të kenë ndikim për t’i bërë presion pushtetit në Serbi ta lirojë Nikola Radomiroviqin që u arrestua në pikën kufitare në Jarinjë, nën dyshimet për vepra penale kundër rendit kushtetues të Serbisë.

“Kemi arritur në një kulm të situatës ku secili prej nesh që mendon ndryshe prej regjimit radikal, ekstrem, që fatkeqësisht në këtë moment e ka pushtetin në Beograd, bëhet cak i veprimeve të vrazhda dhe të paskrupullta. Kështu që edhe një herë po i lus të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces që ta bëjnë një veprim normal dhe ta ndalin këtë represion i cili me të vërtetë te ne nuk mund të prodhojë asgjë të mirë, por vetëm pasoja të këqija”, tha Rashiq, ministër për Komunitete e Kthim. 

Beogradin e ka akuzuar për “gjueti shtrigash” ndaj të gjithë atyre që nuk i simpatizojnë Listën Serbe e Vuçiqin.

Ai ka thënë se pret lëvizje të tilla tash që po afrohen zgjedhjet në Serbi – që janë paralajmëruar për vitin e ardhshëm .

“Është fjala në anglisht “which hunt”, që këto ditë në Serbi është shumë popullore dhe fatkeqësisht pasi shumë shpejt do të kemi zgjedhje në Serbi, dhe kjo do të reflektohet definitivisht edhe në skenën regjionale politike e edhe te serbët e Kosovës, të cilët përsëri do të kenë pasoja të veprimeve të cilat janë të paartikuluara nga ana e Beogradit zyrtar”, tha Rashiq. 

I pyetur lidhur me djegien e një veture në veri, ai ka aluduar se bëhet fjalë për persona të paguar e të kërcënuar.

E përmendi që javën e kaluar u raportua se Milan Radojiçiqi, nënkryetar i Listës Serbe, e ka rrahur Aleksandar Spiriqin, shef i strukturës paralele që quhet qarku i Mitrovicës.

Sipas Rashiqit, arsyetimi skandaloz që ia kanë dhënë avokatit të Radomiroviqit është se nuk ka gjyqtar që do të vendoste lidhur me ndalimin apo lirimin e tij.

Nikola Radomiroviq, drejtor i Drejtorisë së Administratës të Komunës së Leposaviqit, është edhe i biri i Radoica Radomiroviqit, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim.

Sipas Rashiqit, ka qindra e ndoshta mijëra serbë që punojnë në institucione të Kosovës, të cilët s’janë përkrahës të Listës Serbe dhe të Vuçiqit, e të cilëve u bëhet presion përmes ndalimit nga organet e Serbisë.