“Bashkimi Evropian është i krishterë dhe nuk dëshiron një shtet me shumicë myslimane si Kosova në mesin e tij”, është një nga narrativat e krijuara përmes lajmeve të sponsorizuara nga Rusia e Kina që qarkullojnë në Kosovë dhe si e gjetur është përfshirë në raportin “Vorbulla e rrenave”, publikuar të hënën nga organizata “BIRN”. Në raport, sipas kësaj organizate, janë përfshirë të dhëna për dezinformatat, prejardhjen e tyre e ndikimin që synojnë ta kenë.
Tomas Szunyog, ambasador i Bashkimit Evropian, që edhe e ka mbështetur përpilimin e raportit, ka thënë se angazhohen vazhdimisht për të luftuar lajmet e rreme.
“Fatkeqësisht dezinfomatat, lajmet e rreme dhe propaganda kanë qenë prezentë përgjatë historisë në të gjithë globin, por edhe në Kosovë. Rreziku i dezinformimit është bërë edhe më i qartë me sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. Prandaj duhet të punojmë pa u lodhur për ta mbrojtur gazetarinë profesionale dhe t’i promovojmë vlerat, si transparenca, llogaridhënia dhe e vërteta”, ka thënë Szunyog.
Redaktorja e këtij raporti, Jeta Xharra, ka thënë se këto dezinformime janë dashakëqija.
“Në këtë raport kemi bërë një hartë të formave të ndryshme të dezinformimit në Kosovë, keqinformimit, propagandës e narrativave që i ndodhin Kosovës prej faktorëve të brendshëm edhe të jashtëm. Shpesh këto dezinformime vijnë me qëllim dashakeqës që kanë për qëllim të ndryshojnë kahun e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, e në anën tjetër, kanë qëllim me e rritë tensione brenda komuniteteve dhe grupeve të ndryshme në anën tjetër. 345 fusnota të këtij raporti identifikojnë kush janë rrjetet, media sociale, njerëzit që shpërndajnë rrena të pavërteta apo dezinformata në Kosovë”, ka theksuar Xharra.
E njëri nga autorët e këtij raporti, Kreshnik Gashi, ka përmendur qëllimet që synojnë të arrijnë lajmet me burim nga Moska.
“Narrativa kryesore është narrativa kundër NATO-s, për shkak se kemi gjetur që ka një tentativë të vazhdueshme që NATO-ja të kriminalizohet në Kosovë dhe të shihet si diçka e cila nuk është e mirë për vendin tonë. Narrativa e dytë e cila është identifikuar e që është problematike është narrativa kundër integrimeve në BE dhe tentativa ta portretizojë BE-në si diçka të keqe për Kosovën”, ka deklaruar Gashi.
Gashi ka theksuar me tej se megjithëse Kina ka ndikim më të ulët, edhe lajmet e rreme që vijnë nga ky vend kanë synim që në Kosovë të mos ketë pëlqim për Amerikën.
“Ndikimi që media është e kontrolluar prej Kinës në vendin tonë, ndonëse është më i brishtë dhe më i vogël, prapëseprapë kemi identifikuar që narrativa kineze shpërndahet në Kosovë dhe ka synim kryesisht në tri pika të godasë. Pika e parë është që të portretizojë SHBA-në si të keqe dhe si një vend i cili ka kriminalitet të lartë dhe probleme të mëdha me sundimin e ligjit”, ka shtuar Gashi.
Në raport përmendet edhe një faqe nga Maqedonia e Veriut që menaxhon të paktën 10 portale në Kosovë, të cilat publikojnë vazhdimisht dezinformata. Gjithashtu raporti ka gjetur se një faqe në Facebook publikon dezinformata për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për partitë opozitare.