Kryetari i Prishtinës ka akuzuar pushtetin qendror për mungesë të përkrahjes së projekteve të Komunës. Në një konferencë shtypi të enjten, Rama ka prezantuar “Sukseset dhe Sfidat e Kryeqytetit në 2024 dhe Planet për 2025” teksa si të parin projekt në të cilin nuk është përkrahur nga Qeveria, ai e ka përmendur planin për unazën e kryeqytetit. Kritikave të Ramës i është përgjigjur ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka publikuar një grafikon nëpërmjet të cilit ka pretenduar se në tre vjetët e fundit ka pasur rritje të mbështetjes financiare të Qeverisë për Komunën e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka akuzuar Qeverinë se nuk po i përkrah projektet e Komunës që ai e udhëheq.
Në një konferencë shtypi të enjten, në të cilën i prezantoi “Sukseset dhe Sfidat e Kryeqytetit në 2024 dhe Planet për 2025”, Rama ka thënë se projekti i parë i Komunës që nuk është duke e marrë përkrahjen e Qeverisë është ai për ndërtimin e unazës së kryeqytetit. Krahas kësaj, ai ka numëruar edhe ndërtimin e ishullit Arbëri-Pallati i Rinisë, ndërtimin e Palestrës Multisportive si dhe ndërtimin e një nënkalimi në rrugën “Agim Ramadani”, si projekte që “po pengohen nga niveli qendror”.
Disa prej këtyre projekteve janë ndalur, pasi janë kualifikuar si të jashtëligjshme.
“Çështja e ishullit urban, e kemi zhvilluar projektin e ishullit dhe i kemi filluar punimet urbane, por jemi bllokuar nga institucionet qendrore. Arsyetimi është tërësisht tendencioz, i cili ka për qëllim zvarritjen dhe bllokimin e këtij projekti”, ka thënë Rama në konferencë.
Ai nuk i ka përmendur projektet që janë kryer nga Zyra e Shërbimit të Arkitektit të Qytetit (SHAK), me të cilin ka pasur kontratë 12 milionëshe. Rama ka pranuar se për shkak të moskryerjes së pagesës, SHAK-u e ka dërguar komunën te përmbaruesi.
Në konferencë, kryetari i Prishtinës është krenuar se “pavarësisht këtyre sfidave”, ai ka arritur që ta shpenzojë shumicën e buxhetit në kryeqytet.
“Kryeqyteti ka thyer rekord këtë vit me realizimin e buxhetit. Pra, që nga fillimi i qeverisjes sonë ka pasur rritje të realizimit të buxhetit nga viti në vit. Në vitin 2024, buxheti ka realizim rekord historik me mbi 80 për qind, ndërsa investimet kapitale janë realizuar mbi 63 për qind”, ka thënë ai.
E pas adresimit të kritikave në llogari të Qeverisë, Ramës pas konferencës i ka dhënë përgjigje ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ai ka publikuar në rrjete sociale një grafikon, nëpërmjet të cilit ka pretenduar se gjatë tre vjetëve të fundit Qeveria e ka rritur mbështetjen financiare për Komunën e Prishtinës. E për deklaratën e Ramës se ka shpenzuar shumicën e buxhetit, Murati ka bërë pretendim të kundërt.
“Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro. Po kaq, 33 milionë euro, është buxheti i Komunës së Podujevës. Pra, imagjinoni se sa punë arrin të bëjë Komuna e Podujevës me këtë buxhet, kaq pra i tepron Komunës së Prishtinës e qytetarëve të Prishtinës u mohohen ato projekte, për shkak të mosrealizimit. Andaj, kryetari i Komunës Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, bën mirë që të përqendrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve”, ka shkruar Murati në Facebook.
Kryetari i Prishtinës edhe më herët ka kërkuar nga Qeveria që të mos i bllokojë ato që i ka kualifikuar si “projekte madhore të kryeqytetit”.