LAJMET E MBRËMJES

Qeveria aprovon rritjen e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta

Kabineti Qeveritar ka aprovuar rritjen e përfitimeve dhe pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se për disa kategori ka rritje edhe përtej 20 për qind. Por, vendimi është kritikuar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Faton Klinaku. Ai e ka vlerësuar rritjen prej 20 për qind si vendim elektoral

Qeveria ka aprovuar rritjen e përfitimeve dhe pensioneve për 20 për qind, për të gjitha kategoritë e dala nga lufta. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se është miratuar përditësimi i një shtojce në Ligjin për kategoritë e luftës, për ta mundësuar rritjen e premtuar vitin e kaluar.

“Miratuam edhe një vendim tejet të rëndësishëm, i cili vjen pas zotimit dhe propozimit që kishim dhënë bashkë me kryeministrin Kurti, gjatë vitit të kaluar, sa i përket rritjes së pensioneve për të gjitha kategoritë në nivelin prej 20 për qind, pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndarje buxhetore, konkretisht nenit 36, i cili na mundëson ta bëjmë ndryshimin e tabelës ashtu siç kërkohet me procedura”, ka thënë ai.

Me rritjen e re të pensioneve, ministri Murati tha se disa kategori do të përfitojnë mbi 20 për qind dhe tregoi se rritja do të bëhet nga ky muaj.

“Për pensionet për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, për familjet e të zhdukurve të UÇK-së, pensionet invalidore për invalidët e UÇK-së, shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidin e UÇK-së, pra me dëmtim trupor mbi 80 për qind. Kategoritë që fitojnë për mbi 20 për qind janë familje të dëshmorëve të UÇK-së, pra për familjet që kanë dy dëshmorë ose më tepër”, ka thënë Murati.

Kritika për miratimin e këtij vendimi të Qeverisë, dha ushtruesi i detyrës së kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

“Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë, do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€. Pra, në vend se veteranët t'i merrnin 350€, tash do t'i marrin 204€. Nëse votuesi mashtrohet përsëri, kjo është çështje e tij, por kaluan katër vjet dhe çështja e ‘verifikimit’ të veteranëve nga kjo Qeveri ka qenë vetëm farsë e që i është dashur dhe i duhet vetëm për opinionin publik, çështje e cila është e një procesi gjyqësor i cili nuk ka përfunduar ende. Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre, është që mos t'i besojnë më mashtrimit”, ka thënë Klinaku.

Në mbledhjen e Kabinetit Qeveritar janë marrë edhe vendime të tjera, përfshirë atë për ndarjen e 100 mijë eurove për mbështetje financiare për familjarët e veprimtarit Enver Hadri, pas ankesës që bënë tre serbë të dënuar për vrasjen e tij, nga një gjykatë në Belgjikë.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka emëruar Lyra Osmanin inspektore të përgjithshme në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si dhe drejtor të Agjencisë së Statistikave, Avni Kastratin.