LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria: Sheholli, me udhëzime të BIA-s, mblidhte dhe publikonte informacione në media

Një muaj paraburgim i është caktuar Fatmir Shehollit, që dyshohet për spiunazh. Në dosjen e Prokurorisë theksohet se ai u rekrutua nga BIA serbe dhe se kishte detyra specifike, me të cilat ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik në Kosovë

Fatmir Sheholli është dërguar në pranga mëngjesin e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku u aprovua kërkesa e Prokurorisë Speciale që ndaj tij të vihet masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake, e arsyetoi vendimin ndaj të dyshuarit për spiunazh, dhe ka thënë se nëse lihet në liri, mund të ikë dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, meqë dyshohet për vepër penale të rrezikshmërisë së lartë.

“Vepra penale e cila i ngarkohet të pandehurit F. SH. bën pjesë në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila vepër veçanërisht rrezikon institucionet dhe funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në arsyetim.

E në kërkesën për masën e paraburgimit, që e ka bërë Prokuroria, jepen të dhëna për disa prova që dëshmojnë lidhjen e Shehollit me Sigurimit Shtetëror të Serbisë, BIA.

Në dokumentin e siguruar nga KOHA, thuhet se Sheholli, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA serbe, ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për të.

“Duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq... ka mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me pronat ‘kinse të uzurpuara’ të komunitetit serb në Kosovë, në lidhje me aktivitetet biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj ia ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Në këtë dokument të Prokurorisë Speciale, thuhet se me këto informacione që Sheholli ia ka përcjell BIA-s është cenuar siguria dhe rendi juridik në Kosovë.

Sipas prokurorisë, me udhëzime të BIA-s Sheholli ka mbledhur dhe publikuar edhe informacione në media online.

“Është vërtetuar se me datën 26.09 2025, rreth orës 14:00, sipas udhëzimeve  dhe planit operativ të përgatitur nga zyrtari i kartë i BIA-se, Bojan Dimiq, i pandehuri Sheholli, së bashku me bashkëshorten dhe veturën e tij, të tipit audi, kanë shkuar në Mitrovicën e Veriut dhe kur kanë arritur në parkingun e shkollës teknike, nga një person i panjohur deri më tani, ka pranuar materiale - audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat materiale pastaj janë publikuar në media online në Kosovë”, thuhet më tej në kërkesën e sigurisë.

Të enjten në një aksion të Policisë, Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është arrestuar Sheholli, nën dyshimin për “Spiunazhi”.

Pas arrestimit, atij i është bastisur edhe banesa që ndodhet në kryeqytet.