30 ditë paraburgim për Shehollin
(Tekst i përditësuar 16:45) - Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Fatmir Shehollin, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh.
Gjykata ka vlerësuar se pesha e veprës për të cilën dyshohet Sheholli është e natyrës së rëndë dhe se caktimi i kësaj mase është i domosdoshëm e se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme.
VIDEO:
(Tekst i përditësuar) - Prokuroria e Kosovës në arsyetimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Sheholli, ka shkruar se ai i jepte Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) informata për pronat “kinse të uzurpuara” të serbëve në Kosovës si dhe për gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Në arsyetimin që e ka siguruar KOHA thuhet se ai ia jepte këto informata zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, deri me arrestimin e tij me dt.09.10.2025, në territorin e Republikës se Kosovës, me dashje dhe në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Inteligient i Serbisë (i njohur si BIA), ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, në atë mënyrë që ka mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me pronat “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, në lidhje me aktivitetet biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj ia ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë me informatat që Sheholli ia ka përcjell BIA-s është cenuar siguria dhe rendin juridik në Kosovë.
“Është vërtetuar se me datën 26.09 2025, rreth orës 14:00, sipas udhëzimeve dhe planit operativ të përgatitur nga zyrtari i kartë i BIA-se, Bojan Dimiq, i pandehuri Sheholli, së bashku me bashkëshorten dhe veturën e tij, te tipit audi, kanë shkuar në Mitrovicën e Veriut dhe kur kanë arritur në parkingun e shkollës teknike, nga një person i panjohur deri më tani, ka pranuar materiale - audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat materiale pastaj janë publikuar në media online në Kosovë, çka me këto veprime i pandehuri Fatmir Sheholli me dashje dhe vetëdije ka ndihmuar BIA-në duke zbatuar udhëzimet e tyre, çka me këtë e ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, integritetin e zyrtarëve dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në kërkesë.
Audioincizimi tregon për lidhjet e Shehollit me Listën Serbe
I arrestuari nën dyshimet për spiunazh, Fatmir Sheholli, dëgjohet duke biseduar me dy persona, një grua dhe një burrë, të cilëve u tregon për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe terroristin Milan Radoiçiq, sipas një audioincizimi të publikuar nga RTK-ja.
E sipas burimeve të “Betimit për Drejtësi”, në audioincizim janë deputetja boshnjake Duda Balje dhe një person me emrin Amir Rrustemoviq, i cili ka pranuar se bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në incizim.
Ndërkaq në thirrjen e KOHËS, Balje nuk ka pranuar të komentojë duke thënë se së shpejti do të dalë me reagim. Sapo të ketë reagim, artikulli do të publikohet.
Fatmir Sheholli del para Gjykatës për caktim të masës së sigurisë
Fatmir Sheholli është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë të premten. Një ditë më parë ai u arrestua nën dyshimin për spiunazh, ndërkohë Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij. Pas seancës gjyqësore, atij do t'i miratohet masa e sigurisë.
Fatmir Sheholli në pjesën e parë të viteve ’90 ka qenë pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Pas luftës, ai ka mbajtur lidhje me politikanë serbë në Kosovë, si dhe ka zhvilluar aktivitet në Institutin për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.
Pas arrestimit, atij i është bastisur edhe banesa që ndodhet në kryeqytet. Hetuesit e njësive relevante janë parë duke dalë nga objekti ku banon Sheholli, nga i cili kanë sekuestruar edhe materiale, të cilat dyshohet se lidhen me hetimin për veprën penale “Spiunazh”.
Krahas dyshimeve për spiunazh, një dokument i AKI-së tregon se ai është i përfshirë edhe në keqpërdorim të buxhetit.
Në mars të këtij viti, KOHA ka raportuar se inspektori i AKI-së ka dorëzuar vjet në Prokurorinë Speciale një raport, në të cilin konstatohet se pa u ndjekur procedurat e brendshme ka pasur rritje buxheti për informatorët, ndërsa shpenzimi i rreth 2 milionë eurove është bërë pa u evidentuar pranuesit, apo edhe në rastet kur ata janë ditur nuk ka pasur të dhëna për informatat e marra në këmbim.
Gjatë viteve 2017-2020, në mesin e atyre që përfituan nga ky fond është edhe Fatmir Sheholli, i cili, sipas raportit, ka pranuar 639 mije euro prej AKI-së.
Sheholli është paraqitur shpesh në një numër televizionesh në debate në rolin e analistit politik.
Në paraqitjet publike, ai ka thënë se pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), por edhe e ka pranuar se ka punuar si inspektor i UDB-së në vitet ’90.
E, një shkrim i gazetës “Bujku”, i botuar më 15 mars 1991, tregon se 44 familje Sheholli nga Podujeva dhe rrethina u distancuan publikisht nga Fatmir Sheholli dhe babai i tij, të cilët akuzoheshin për bashkëpunim me pushtetin serb të asaj kohe.