35 vjet burgim janë kërkuar që t’i shqiptohen ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.
Në deklaratën përmbyllëse, Prokuroria ka kërkuar që trupi gjykues të vendoset për dënimin e të akuzuarit për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe për vrasje.
Jack Smith, prokuror i Specializuar, ka kërkuar që të shqiptohet dënim me burgim të gjatë, bazuar në realitetin e krimeve dhe në ndikimin që ato kanë pasur në jetët e viktimave dhe të familjarëve të tyre.
“Kjo çështje ka të bëjë me viktima dhe me familjet e tyre, me persona të pafajshëm që kanë vajtuar gjatë gjithë jetës dhimbjet për shkak të të akuzuarit. Kjo çështje ka të bëjë gjithashtu me llogaridhënien, duke e konfirmuar sundimin e ligjit për të ardhmen. Për këto arsye dhe bazuar vetëm në prova dhe në ligj, ju kërkojmë që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e ngarkuara dhe që t’ia jepni dënimin e rekomanduar, sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet e rënda që ai ka kryer”, tha Smith.
Smith ka shtuar se Salih Mustafa ka pasur rol të dyfishtë, si komandant dhe si autor i drejtpërdrejtë “në keqtrajtimet që Prokuroria pretendon se janë kryer në një shtëpi ndalimi në fshatin Zllash”.
Edhe
Specialja do ta shqyrtojë uljen e dënimit ndaj Salih Mustafës
Krahas prokurorit Smith, edhe prokurorja Silvia D’Ascoli ka thënë se në bazë të provave që janë paraqitur në këtë proces, vërtetohet që Mustafa është përgjegjës përtej dyshimit të arsyeshëm për të gjitha krimet për të cilat akuzohet në katër pikat e aktakuzës.
Para trupit gjykues, D’Ascoli ka potencuar se në këtë proces janë paraqitur viktima dhe dëshmitarë.
“Dy dëshmitarë, 1679 dhe 3593, e përmendën me emër të akuzuarin si person që merrte pjesë drejtpërdrejt në pyetjet dhe rrahjet e tyre. Të kujtojmë së pari provat në dëshminë e dëshmitarit 1679. Ky dëshmitar, pasi u dërgua në këtë kompleks nga ushtarët e BIA-s, u mor në pyetje nga komandant Cali, pra i akuzuari Salih Mustafa”, tha D’Ascoli.
Sipas prokurores, historitë e dëshmitarëve e vërtetonin njëra-tjetrën.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare, kur po dëgjohen deklaratat përmbyllëse të palëve. Gjatë së martës janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Edhe
Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit
I njohur me nofkën e luftës komandant Cali, Mustafa është duke qëndruar në paraburgim në Hagë që prej 24 shtatorit të vitit 2020.
Ai akuzohet se në një kompleks ndalimi në Zllash ka kryer krimet e ndalimit arbitrar, të trajtimit mizor dhe të torturës ndaj të paktën gjashtë personave, si dhe për vrasje.