Në konferencën përgatitore të Apelit pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, të enjten, është vendosur që Salih Mustafës t’i vazhdohet masa e ndalimit deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga shkalla e dytë. Mbrojtja e Mustafës, i dënuar me 26 vjet burgim në shkallën e parë, ka kërkuar që sa më shpejt të përkthehet aktgjykimi në gjuhën shqipe
Gjykata e Apelit pranë Dhomave të Specializuara në Hagë vendosi që ta vazhdojë masën e ndalimit për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa.
Në konferencën përgatitore për rastin e Mustafës, të enjten, trupi gjykues i kryesuar nga Michele Picard, vlerësoi se vazhdimi i mbajtjes në burgim deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga shkalla e dytë është në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Në emër të trupit gjykues, unë kujtoj që në përputhje me nenin 46 të ligjit, në përjashtim të rastit kur trupi gjykues ose trupi gjykues i Apelit urdhëron ndryshe, një person i dënuar duhet të mbetet në ndalim gjatë procesit të Apelit. Kujtoj më të tej konstatimin e trupi gjykues KSCCA 2022(01) se ndryshe nga faza përgatitore ose faza përpara dënimit në nivel të parë ose shkallë të parë, kur gjykatësi i procedurës paraprake ose trupi gjykues kërkohet që të bëjë një rishikim një herën në dy muaj për ndalimin sipas rregullave, proceduarve, provave dhe ligjit, kjo nuk kërkohet më në procesin e Apelit”, ka theksuar Picard.
Mustafa, i dënuari i parë i Speciales me pretendimin se ka kryer krime lufte, nuk e ka marrë ende versionin përfundimtar të aktgjykimit të shkallës së parë në gjuhën shqipe, sipas të cilit është dënuar me 26 vjet burgim.
Mbrojtja e Mustafës kërkoi që vendimi për dënimin e Mustafës të përkthehet në shqipe para 30 marsit, për çka administrata u zotua se do ta bëjë.
“Z. Mustafa nuk ka pasur mundësi që të shohë vendimin dhe ka lexuar vetëm versionin anglisht, ndërkohë që anglishtja nuk është gjuha e tij... Dëgjova që do të dorëzohet në fund të marsit. Do të preferoja që të dorëzohej pak më herët sepse vendimi është marrë në dhjetor, kështu që pretendonim dhe shpresonim që vendimi të ishte i përkthyer para kësaj date”, ka theksuar avokati i Mustafës Julius Von Bone.
Avokati i Mustafës ka kërkuar po ashtu që Gjykata të lejojë tejkalimin e kufizimit prej 30.000 fjalësh për përgjigje dhe kundërpërgjigje në Apel. Gjyqtarja Picard tha se për këtë, trupi gjykues do të vendosë pasi ta pranojë kërkesën me shkrim.
Edhe
Supremja në Hagë e mban në fuqi dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën
“Ju sapo iu referuat numrit të lejuar të fjalëve, ndërkohë që tash se kemi nëntë arsye për Apel, por kemi edhe 59 ose ndoshta 60 nënarsye, kështu që mund të duhen më shumë fjalë, kështu që parashikojmë që mbase të shtohet numri i fjalëve”, ka deklaruar avokati.
Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, Salih Mustafa, i njohur si komandat Cali, që udhëhiqte me njësinë BIA të UÇK-së, u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Speciales lidhur me akuzat për ndalim arbitrar, torturë e vrasje të paligjshme, derisa u lirua nga akuza për trajtim çnjerëzor në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash gjatë prillit të vitit 1999. Gjatë gjykimit, ai u deklarua i pafajshëm.