Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Presidenti malazias kërkon që Kosova e Serbia t’i kthehen dialogut

Raportet Kosovë-Serbi kanë përbërë temë edhe në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore, që po mbahet në Podgoricë. Presidenti malazias, Jakov Milatoviq, ka kërkuar që të dyja vendet të rikthehen në tavolinën e bisedimeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutimi në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore, i cili është duke u mbajtur në Podgoricë të Malit të Zi.

Nikoqiri i kësajngjarjeje, presidenti Jakov Milatoviq, kërkoi që Prishtina dhe Beogradi të rikthehen në tavolinën e bisedimeve. Ai shprehu shpresën për depërshkallëzimin e plotë të tensioneve.

“Qëndrimi i Malit të Zi në këtë aspekt është tepër i qartë – e mbështesim dialogun që aktualisht po zhvillohet nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe kjo edhe ishte një prej temave të samitit të sotëm. Mendoj se është përçuar një mesazh i mirë i përbashkët, përfshirë edhe nga Beogradi dhe Prishtina, dhe ai është që duam rajon stabil dhe prosperues, që është pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Milatoviq.

Presidentja Vjosa Osmani e përfaqëson Kosovën në këtë samit. Në Podgoricë, ajo ka rikonfirmuar se Kosova është e angazhuar për paqe dhe stabilitet.

“Krahas liderëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Evropës Juglindore, jam në Podgoricë për t’i rikonfirmuar përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurt brenda institucioneve euroatlantike”, tha Osmani.

Edhe Milatoviq mbështet dialogun e kërkon shtensionim të situatës në Kosovë LAJMET E MBRËMJES Milatoviq mbështet dialogun e kërkon shtensionim të situatës në Kosovë

Në samit, pjesëmarrës është edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili theksoi se thellimi i bashkëpunimit rajonal është thelbësor për t’i trajtuar me sukses sfidat me të cilat përballen shtetet e rajonit.

Samiti është një nismë bashkëpunimi rajonal, e krijuar më 1996-n, me qëllim të promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore.