Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën ishte nikoqir i homologut të tij nga Mali i Zi, Jakov Milatoviq. Mes të tjerash, diskutuan edhe për Kosovën, ku u tha se ndajnë qëndrime të ndryshme. Përveç përmirësimit të bashkëpunimit, ata u pajtuan për rishkëmbim të misioneve diplomatike
Çështja e Kosovës është ajo për të cilën presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se e ndan në qëndrime me atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Gjatë vizitës që bëri të hënën në Serbi, Milatoviq foli për nevojën e shtensionimit të situatës në veri të Kosovës dhe për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.
"Ne e mbështesim sinqerisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe duam që ai dialog të përfundojë në të mirë të Beogradit dhe Prishtinës. Nuk jam i lumtur për tensionet dhe përsëri apeloj për shtensionim dhe i mirëpres përpjekjet e Beogradit për këtë, dhe unë e di se Vuçiq do të bëjë shumë për të arritur atë shtensionim”, deklaroi ai.
Për dallimet që kanë sa i përket Kosovës, Vuçiqi nuk foli. Ai preferoi të flasë për marrëdhëniet e reja që po ndërtohen me Malin e Zi në krye me Milatoviqin.
“E kemi pritur si pak të tjerë, mundohemi të jemi nikoqirë të mirë. Këtu në Serbi të gjithë lejohen të thonë çfarë të duan, si të duan, asnjëherë nuk jemi inatosur me askënd. Për ne është vetëm ofenduese nëse dikush na thotë se nuk jemi mikpritës të mirë, gjithçka tjetër është çështje politike, diskutimi, bisede dhe dialogu”, tha ai.
Që të dy presidentët vlerësuan se me këtë vizitë është bërë një hap para në marrëdhëniet mes Malit të Zi e Serbisë.
Vuçiq e Milatoviq, gjatë takimit, mes të tjerash, janë pajtuar edhe për rishkëmbim të misioneve diplomatike në të dy kryeqytetet, Beograd e Podgoricë, të ndërprera kohë më parë.