Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova do të kërkojë në Tivat trajtim të drejtë në procesin e zgjerimit

Mali i Zi - Ballkani Perendimor - BE - Tivat Samiti 5 qershor

Foto: Associated Press

Të premten në Tivat të Malit të Zi do të organizohet samiti i liderëve të BE-së me ata të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje, ka thënë se do të kërkojë trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit. Para samitit janë nxitur tensione Podgoricë-Beograd

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e Bashkimit Evropian (BE) me liderët e Ballkanit Perëndimor më 5 qershor në Tivat.

Samiti mbledh udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një njoftim të Presidencës është treguar se çfarë qëndrimi do të shprehë Haxhiu në samit.

“Në këtë samit, u.d. presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Samiti i së premtes pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në historinë e Malit të Zi. Në të do të marrin pjesë liderë të lartë evropianë dhe rajonalë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Para samitit, shtetet e rajonit janë vizituar nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Të mërkurën ai ka qëndruar në Prishtinë, ku ka thënë se nëse Kosova përmbush obligimet e saj përkitazi me eurointegrimin, nuk do të ketë probleme nga ana e BE-së.

“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimit në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, ka thënë Costa.

Nga vendet e rajonit, vetëm Kosovës BE-ja nuk ia ka dhënë statusin e vendit kandidat. Problem për këtë vendimmarrje shihet fakti që shteti nuk është njohur nga pesë vende anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Në samitin në Tivat, Kosova do të kërkojë të hiqen pengesat e kësaj natyre.

E, nisjes së samitit i kanë paraprirë tensione mes Malit të Zi dhe Serbisë.

Për shkaqe sigurie, autoritetet malazeze nuk ua kanë lejuar hyrjen në këtë shtet 87 serbëve me precedentë penalë e histori dhune në protestat në Serbi.

Të mërkurën, një ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ata janë kthyer mbrapsht nga autoritetet malazeze me po të njëjtin aeroplan – atë të kompanisë shtetërore “Air Serbia”.

Si kundërpërgjigje, Serbia ka arrestuar 30 shtetas malazezë në aeroportin e Beogradit dhe ua ka pamundësuar hyrjen shumë të tjerëve përmes pikave kufitare rrugore.

Ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vllahoviq, tha se presidenti i Serbisë është orkestrues i këtyre veprimeve armiqësore. Sipas tij, Aleksandar Vuçiqi, është në siklet në rrafshin e brendshëm e të jashtëm dhe se po synon ta vjedhë shfaqjen.

“Kur e merr me qira fluturimin ekskluzivisht me këta lloj pasagjerësh, që duken sikur nazistë me tatuazhe e me njerëz që janë kriminelë në regjistra, të gjithë pa dallim, atëherë është fluturim i qëllimshëm. Nuk është rastësi. E dyta, lidhet më së shumti me samitin në mënyrë që ta bëjë pjesëmarrjen e Aleksandar Vuçiqit çështjen kryesore, qoftë në kontekst negativ”, ka thënë Vllahoviq.

Po ashtu, Vllahoviq vlerësoi se dërgimi i mbi 80 personave të rrezikshëm në Mal të Zi në prag të samitit tregon mentalitetin e vjetruar serb që do dominim të rajonit dhe mban inat të fortë me sukseset e fqinjëve.

“Sepse është sukses i madh, pavarësisht vështirësive dhe problemeve të brendshme dhe mungesës së kapaciteteve të qeverisë është sukses i madh që samiti i BE-së zhvillohet në vendin tonë... Shtesa tjetër është në përgjithësi qëndrimi i regjimit serb ndaj Malit të Zi – vazhdimësi e asaj përpjekjes për destabilizim, për ta mbajtur në krizë të vazhdueshme. Është diçka me të cilën kemi mësuar”, ka thënë ai.

Pas këtij skandali, agjenci të sigurisë në Serbi e këshilluan Vuçiqin të mos udhëtojë në Mal të Zi, me arsyetimin se ka rrezik për jetën e tij, por ai ka mbërritur të enjten në Tivat. Paraprakisht ka kërkuar që të mos pritet nga shtetarët e Malit të Zi.

Gjithsesi e gjithë vëmendja në Tivat ishte për presidentin e Francës, vendit shtyllë të BE-së. Presidenti Emmanuel Macron shkroi në rrjete sociale se po e hap një kapitull të miqësisë dhe të ardhmes evropiane me Malin e Zi.

“Unë besoj se Evropa duhet të jetë e bashkuar, Franca është këtu për t’ju mbështetur”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi u ka kërkuar raporte autoriteteve serbe për arsyet e ndalimit dhe refuzimit të hyrjes në Serbi të shtetasve malazezë. Kjo nuk është hera e parë që Serbia përgjigjet në këtë mënyrë pas sukseseve të shteteve fqinje.

Arrestime të shumta në shenjë hakmarrjeje, Serbia pati bërë edhe ndaj shtetasve të Kosovës më 2023 pasi Asambleja e Këshillit të Evropës bëri hapin e parë për pranimin e Kosovës në këtë institucion.

Mali i Zi konsiderohet si vendi që ka bërë më së shumti hapa para në rrugën drejt BE-së, duke mbyllur disa kapituj në negociatat e anëtarësimit.