LAJMET E MBRËMJES

Policia nis hetimet për dëmtim të varrit të aktivistit të LVV-së

Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është duke u hetuar. Pjesa e dëmtuar është simboli kuqezi i vendosur në gur. Lëvizja Vetëvendosje e ka dënuar rastin, duke thënë se është në pritje të hetimeve të Policisë. Astrit Dehari u gjet i vdekur më 2015 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me dëmtimin e varrit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në raportin e Policisë thuhet se rasti është në hetim dhe se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për ta ekzaminuar atë.

Pjesa e dëmtuar e varrit ka qenë një simbol kuqezi, i punuar në formën e flamurit me shqiponjë.

Fadil Uka, që ka ndërtuar pllakën e varrit të Astritit dhe të vëllait të tij, është shprehur i shqetësuar me veprimin. 

Ai të dielën ka shkuar në varreza për të parë nga afër dëmin e shkaktuar.

“Ka qenë e punuar një shtyllë afër dy metrash, një shtyllë e bardhë. Ka qenë gur i kuq, i punuar me vaterxhe dhe brenda është futur guri i zi. Ka pasur formën e flamurit, tamam si flamur. Ka qenë jashtëzakonisht e forcuar. Nuk e di si kanë mundur ta merrnin dhe ta dëmtonin. Është thyer edhe kjo pjesë këtu. Pse është bërë, nuk po mund ta kuptoj se a ju ka rënë. Siç po e shoh, është dëmtuar edhe kjo pllakë këtu”, ka thënë Uka.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin se janë dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë Astrit Dehari. Falënderojmë njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë. Si Lëvizje Vetëvendosje jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, është gjetur i vdekur në vitin 2015, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshime për terrorizëm, pas sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur në vazhdimësi se bëhet fjalë për vrasje.