Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit Astrit Dehari.
Në një reagim në Facebook, LVV-ja falënderoi Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe bëri të ditur se po presin hetimet për zbardhjen e shkakut të këtij incidenti.
“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në njoftim.
Astrit Dehari vdiq në vitin 2015 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshimet për terrorizëm, për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, për të kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin.
LVV-ja ka këmbëngulur vazhdimisht që bëhet fjalë për vrasje.