Kundërkushtetues është konsideruar ndalimi i hyrjes së deputetëve opozitare në hapësirat e Kuvendit të Shqipërisë, pas suspendimit të tyre. Ndonëse të rrethuar nga Garda e Shqipërisë, disa prej deputetëve opozitarë kanë shfrytëzuar alternativa të tjera për t`u futur brenda objektit. Për veprimet ndaj opozitarëve, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin aktual Edi Rama.
Kalimi i rrethojave të Kuvendit e një nga dritaret e objektit të tij, kanë qenë mundësia e vetme e futjes brenda e të tetë deputetëve opozitarë.
Pas vendimit për suspendimin e një pjese prej tyre, Garda e Shqipërisë nuk i ka lejuar deputetët e Partisë Demokratike që të hyjnë në objekt, për të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë.
Njëri nga ta ka kaluar rrethojat, derisa të tjerët nga grupi kanë hyrë në objekt duke shfrytëzuar një nga dritaret e objektit.
Tek kanë provuar të hyjnë në objekt, deputetët janë përplasur me Gardën e Shqipërisë. Ata thanë se është duke iu shkelur e drejta kushtetuese.
“Po shkelni ligjin. Na lini të hyjmë, është çmenduri. Do të hyjmë në punë. Na jepni shkresën, kush është drejtues i Gardës të na japë shkresën. Gangster jeni ju? Siç mban pushtetin? Privat është ky institucion?”, ka thënë njëri prej deputetëve.
Ndalimin e hyrjes së deputetëve, ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar kundërkushtetues, e ka thënë se tregon situatën kritike në Shqipëri.
Sipas tij, deputetët nuk janë lejuar të hyjnë në zyrat e tyre për mbledhjen që kanë pasur mes vete.
“Ky është parlamenti i Edi Ramës. Ky është parlamenti i Spiro Kolekës. Ky është parlamenti i një organizate kriminale të strukturuar. Shikoni çfarë ndodh, deputetët nuk lejohen të vijnë në zyrën e tyre. Ky është një akt i shëmtuar, ky është një akt i pashembullt në historinë 32-vjeçare të pluralizmit. Ky akt tregon tmerrin e Edi Ramës, tmerrin e organizatës së tij kriminale. Deputetët nuk mund të ndalohen në zyrat e tyre”, ka thënë Berisha.
Por grupi që ka hyrë brenda objektit të Kuvendit ka penguar deputetët e Partisë Socialiste që të futen në sallën ku ka qenë e paraparë që të mbahej mbledhja e një prej komisioneve.
Më 31 tetor, Komisioni i Etikës, pas kërkesës së Partisë Socialiste, ka vendosur të suspendojë për 10 ditë nga Parlamenti të gjashtë deputetët: Bledion Nallbatin, Flamur Nokën, Edi Palokën, Albana Vokshin, Gazment Bardhin dhe Saimir Korreshin.