Përplasjet mes protestuesve dhe policisë jashtë Kuvendit, si dhe tensionet mes deputetëve brenda sallës plenare, shënuan seancën e fundit të sesionit pranveror në Shqipëri. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa në Kuvend pati përplasje rreth ndalimit të deputetit Agron Shehaj për të marrë pjesë në seancë
Me përplasje fizike jashtë dhe me tensione brenda parlamentit, të enjten është mbajtur seanca e fundit e sesionit pranveror të Kuvendit të Shqipërisë.
Qytetarë të shumtë u mblodhën për të protestuar qysh herët në mëngjes në rrugën “Xhorxh Bush” ku ndodhet edhe ndërtesa e Kuvendit. E policia krijoi kordon për të mos i lënë protestuesit t’i afroheshin godinës.
Për ta shpërndarë turmën u përdor gaz lotsjellës dhe ujë. Si pasojë pati edhe të lënduar.
Redion Shkëmbi, një nga qytetarët e mbledhur, tha se pret të ketë rezultat protesta antiqeveritare.
“Protesta na ka dhënë shpresë, na ka zgjuar një ndjenjë atdhedashurie shumë të madhe, i kemi sytë nga kjo protestë, sepse realisht është një nga të vetmet që ka ngritur gjithë kombin shqiptar dhe presim realisht që të ndryshojmë, ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, ta bëjmë Shqipërinë të jetueshme për të gjithë”, tha Shkëmbi.
Edhe
Tensione në protestën në Shqipëri para seancës së Kuvendit, lëndohen dy policë
Që 54 ditë në Tiranë po protestohet me kërkesën për dorëheqjen e kabinetit qeveritar, në krye me Edi Ramën.
Përpos në rrugë, tensione pati edhe brenda sallës plenare.
Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, njëherësh deputet, nuk u la të futet brenda dhe të marrë pjesë në seancë.
Ai kërkoi nga sigurimi i kuvendit që t’ia paraqesin urdhëresën në bazë të së cilës u ndalua, tek tentoi të futej brenda.
“Çfarë është kjo diktaturë? Pa urdhër. Më tregoni urdhrin! Si ndaloni një deputet të hyjë në Kuvend? Urdhrin, ku e keni urdhrin? Më trego shkresën, ku e ke? Ku është vendimi? Si i ndaloni ju deputetët të hyjnë? Do të mbani përgjegjësi, për këtë do të mbani përgjegjësi”, tha Shehaj.
Sipas deputetit tjetër të “Mundësisë”, Erald Kapri, përjashtimi i shqiptuar ndaj Shehajt kishte skaduar një ditë më parë dhe ndalimi i tij të enjten nuk kishte bazë ligjore.
“Ju e dini shumë mirë që përjashtimi 30-ditor, që ishte i padrejtë, ka përfunduar. Keni shpikur ekstra procedurë për ta mbajtur jashtë parlamentit. Dhe kjo nuk është normale dhe do të mbani përgjegjësi penale për këtë gjë”, u shpreh Kapri.
E kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se dënimi për Shehajn ishte në fuqi edhe të enjten.
“Mos flisni pa lexuar Rregulloren. Nuk ka asnjë lloj shkelje të së drejtës, madje shkresërisht nga shërbimet juridike të Kuvendit është bërë edhe... po pse s'e keni marrë, do ta merrni, s'ka rëndësi, është nisur, është në protokoll. Me protokoll është nisur shkresa ku sqarohet se si kalkulohen ditët në bazë të Rregullores”, theksoi Peleshi.
Edhe
Opozita e Shqipërisë e çon protestën në Kuvend
Përplasje pati edhe mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste në pushtet. Gjatë zhvillimit të seancës plenare, demokratët bllokuan foltoren e Kuvendit me arsyetimin se nuk u është dhënë e drejta e fjalës gjatë diskutimeve.
Protestuesit në Shqipëri janë edhe kundër opozitës. Ata fillimisht kundërshtuan ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, por me kalimin e javëve kërkesat morën karakter politik, kryesorja nga të cilat është dorëheqja e kryeministrit Rama.