Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët e opozitës në Shqipëri përplasen me gardën në hyrjen e Kuvendit

Në derën e Kuvendit të Shqipërisë deputetët e opozitës u përplasën fizikisht me punonjësit e gardës. Për të mos lejuar futjen në seancë të deputetëve të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, punonjësit e gardës u rreshtuan te dera kryesore. Pavarësisht vendimit për përjashtim, deputetët opozitarë tentuan të hynin me forcë dhe kjo krijoi tensione më 5 shkurt.

Pas përplasjes, dera u hap vetëm për ata deputetë të opozitës ndaj të cilëve nuk kishte një masë disiplinore. Me nisjen e seancës plenare, tensionet nuk munguan as brenda në sallë. Punonjësit e gardës u rreshtuan para foltores, pasi deputetët e opozitës u drejtuan nga zona ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar të Shqipërisë.

Për shkak të kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u detyrua ta mbyllte seancën në të cilën deputetët pritej të flisnin për problemet që kishin vërejtur gjatë takimeve me qytetarët në zonat e tyre zgjedhore.

“Ju nuk doni të flisni për hallet e qytetarëve, këtu seanca mbyllet”, tha kryeparlamentarja Nikolla.

Nëntëmbëdhjetë deputetë të opozitës janë të përjashtuar nga Komisioni i Etikës më 29 janar, për shkak të bllokimit të punimeve të Kuvendit si dhe të Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Edhe Opozita në Shqipëri shkakton sërish trazira para Kuvendit Arbëri Opozita në Shqipëri shkakton sërish trazira para Kuvendit

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste në pushtet, Bledi Çuçi, paralajmëroi se do të ketë sërish përjashtime për deputetët të cilët kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit.

“Ishte shfaqje e shëmtuar. Përjashtimet do të vijojnë nëse do të kemi sërish tensione në Parlament apo në komisione. Ky teatër me kolegët e përjashtuar që futen me zor, është teatër absurd”, tha Çuçi.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Gazment Bardhi, tha se Garda e Republikës me urdhër të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaloi deputetët të hynin në Kuvend.

“Sot në Kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Arben Ahmetajt [ish-zëvëndëskryeministri i shpallur në kërkim]. Me një urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës u penguan të futen në sallën e seancës plenare”, tha Bardhi.

Më pas deputetët e grupimit “Bardhi-Berisha” iu bashkuan protestës së thirrur prej tyre para ndërtesës së Kuvendit, pikërisht kundër vendimit për përjashtimin e 19 deputetëve.

Çështje tjetër pse u thirr kjo protestë ishte edhe moslejimi i ngritjes së komisioneve hetimore që ka kërkuar opozita. Komisionet që opozita kërkon kanë të bëjnë me ato që opozita i cilëson si afera korruptive të Qeverisë.

Edhe Tensione në hyrje të Kuvendit në Shqipëri, thyhet xhami i derës kryesore Arbëri Tensione në hyrje të Kuvendit në Shqipëri, thyhet xhami i derës kryesore

Në protestë, qytetarët hodhën kapsolla dhe tymuese ndërsa kishte edhe përplasje me forcat e policisë. Pas tubimit para Kuvendit, deputetët dhe qytetarët marshuan drejt rrugës “Mustafa Matohiti” pranë banesës së Sali Berishës, i cili po mbahet në “arrest shtëpie” në lidhje me hetimet për korrupsion në rastin e privatizimit të ish-klubit sportive “Partizani”.

Ky grupim brenda Partisë Demokratike ka paralajmëruar edhe për një protestë të re më vonë gjatë shkurtit. / rel