LAJMET E MBRËMJES

Për kryetarin e ri të Leposaviqit, kthimi në objektet komunale është çështje ditësh

Kryetari e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, u betua të enjten në një sallë arsimtarësh në fshatin Bistricë të Leposaviqit, por ai shpreson se shpejt do ta ushtrojë funksionin e tij nga objekti kryesor i komunës në Leposaviq. Ai u zotua se do të punojë për të gjithë qytetarët. Po ashtu tha se në kabinetin e tij do të ketë edhe pjesëtarë serbë, por që për ta nuk pati shumë informacione

Shkolla e fshatit Bistricë të Leposaviqit ishte vendi ku u bë betimi i kryetarit dhe asamblistëve të kësaj komune.

Disa orë pas ceremonive në Zveçan e Zubin-Potok, të enjten, kryetari nga radhët e Vetëvendosjes, Lulzim Hetemi, mori detyrën në një sallë arsimtarësh.

Por për Hetemin, është çështje ditësh kthimi në objektin e Komunës në Leposaviq.

“Kur nuk e dimë, por sipas të gjitha gjasave është afër dita që kem me shku në komunë. Mundemi, mundemi, nëse nuk mundemi na do të shkojmë në zgjedhje apet”, u shpreh ai.

Nënkryetarja e Komunës dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal në Leposaviq do të jenë nga komuniteti serb. Mirëpo kryetari i ri nuk pati informacione për ta. Njërit nuk ia diti emrin e tjetrës postin.

Ceremonia në Bistricë të Leposaviqit u sigurua nga forcat e Policisë së Kosovës, derisa në afërsi të objekteve të pranishëm ishin edhe pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet qendrore e lokale fundvitin e shkuar.