Arbëri

Hetemi dyshon se serbët u detyruan ta nënshkruajnë peticionin për largimin e tij

E kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka ngritur dyshimet se serbët janë duke u detyruar nga institucionet paralele për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e tij. Përvojën në krye të Komunës, Hetemi e përshkruan si jo të lehtë, derisa përjashton mundësinë që të kandidojë për një mandat tjetër

Objekti i Komunës së Leposaviqit nuk ishte vetëm vend pune për kryetarin Lulzim Hetemi. Nga fundi i muajit maj e deri në dhjetor, zyrat komunale iu bënë edhe ambiente banimi.

Tash, postin e kryetarit të Leposaviqit, përmes mbledhjes së nënshkrimeve, janë duke ia lëkundur qytetarët serbë. Por, sipas tij, përderisa gjithçka është në përputhje me ligjet, shkarkimi nga detyra nuk përbën problem.

Teksa foli për bashkëpunimin e mirë që ka pasur me qytetarët serbë gjatë kësaj kohe, ai ngriti dyshime se ata janë të detyruar që të nënshkruajnë peticionin për largim të tij.

“Qytetarët nëse kanë por unë nuk po vërej diçka këtu. Institucionet që po paguhen nga republika e Serbisë, siç janë shëndetësi adhe arsimi. Ata po shifen se edhe po i detyrojnë me ardhë me nënshkru….I bindur jam që janë tu marrë, që kanë shpërnda në mëngjes edhe pare”, ka deklaruar Hetemi.

Në rast se peticioni dështon, Hetemi thotë se do të vazhdojë t’i realizojë projektet e parapara, derisa postin e të parit të Leposaviqit nuk do ta kërkojë për herë të dytë.

“Unë e kam pas një cak diku dhe ja kemi arrit: Shtrirja e sovranitetit në Leposaviq dhe në gjithë territorin e Republikës, sidomos në veri të Kosovës. Kështu që unë ja kam arrit cakun që kam dashtë dhe kam nejt këtu”, është shprehur ai.

Zgjedhja e pasardhësit të tij, e që pritet të jetë nga komuniteti serb, Hetemi është i bindur se nuk do të ndikojë që Leposaviqi të mos jetë nën kontroll të institucioneve të shtetit.

“Kurrë nuk besoj. E pa besueshme. Po e shohim qytetarët, unë I prej këtu qytetarët deri në 50 veta në takim, kanë ankesa, kanë kërkesa të ndryshme”, ka thënë Hetemi.

Hetemi detyrën si kryetar e mori në maj të vitit të shkuar, mes tensionesh e protestash kundër pranisë së tij në ndërtesën kryesore komunale.

Por ai vazhdojë të punojë nga aty dhe të banojë në të njëjtat hapësira.