LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja e LDK-ja vlerësojnë se moskonstituimi i institucioneve dëmton pozicionin e Kosovës në dialog

Paralajmërimi i presidentit amerikan, Donald Trump, se do t’i kthehet çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, ka nxitur reagimin e përfaqësuesve partiakë. Ata të PDK-së e LDK-së vlerësuan se moskonstituimi i institucioneve dëmton pozicionin e Kosovës në dialog. E, në LVV kanë theksuar se presioni ndërkombëtar duhet të vendoset mbi Serbinë

Moskonstituimi i institucioneve të reja mund ta dëmtojë pozicionin e Kosovës në proces të dialogut me Serbinë, kanë vlerësuar përfaqësues të partive që ishin në opozitë mandatin e shkuar.

Tek kanë mirëpritur vullnetin që ka shprehur presidenti amerikan Donald Trump për t’u marrë me dialogun, ata kanë shtruar nevojën për formimin e institucioneve pasi e vlerësuan si shumë kritik rolin e tij në proces.

“Bllokada e cila po vazhdon për shkak të kryeneçësisë së z. Kurti dhe LVV është e dëmshme edhe për pozicionin e Kosovës. Sepse nëse në një moment të shpejtë që nuk mund ta dimë se kur do të jetë ai moment, ka një kërkesë nga SHBA për të pasur një qasje më proaktive në raport me marrëveshjen potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nëse ne nuk kemi institucione të konsoliduara, kjo gjithsesi e dëmton pozicionin e Kosovës”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Në LDK thonë se roli i SHBA-së në këtë proces është i pazëvendësueshëm.

“Ne besojmë që mes BE-se dhe Administratës së presidentit Trump do të ketë një koordinim sa u përket krejt këtyre zhvillimeve, por, mbi të gjitha, roli i tij është i veçantë. Pesha specifike e qëndrimit amerikan dhe roli i presidentit Trump në procesin e paqes dhe përmbylljen e shtetndërtimit në Kosovë do të jetë kritik, kështu që duhet të bëhemi gati”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Edhe nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se roli i SHBA-së është i domosdoshëm dhe se Qeveria në detyrë ndan të njëjtin synim me të për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ne kemi konsideruar që ky normalizim është i mundur, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm presioni mbi Serbinë. Pra, ata të cilët në vazhdimësi kanë qenë destruktivë në raport me këtë proces është Serbia, prandaj ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është tejet e rëndësishme që ky presion të vendoset mbi Serbinë”, ka thënë Haxhiu.

Të dielën presidenti Trump në reagimin për situatën mes Izraelit dhe Iranit e ka përmendur ndikimin e tij gjatë mandatit të parë në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se konflikti mes të dyja shteteve ishte gati të shpërthente në luftë dhe se çështjes do t’i kthehet sërish.

Të hënën, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mirëpritur paralajmërimin e Trumpit, teksa ka thënë se për marrëveshje, trysni duhet t’i bëhet Serbisë.