Mosrespektimi i orarit të caktuar është bërë arsye që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj të mos takohet me presidenten Osmani, ndonëse fillimisht pranoi ftesën për të. Në Presidencë thanë se takimi nuk është zhvilluar për arsye protokollare e që Haradinaj s’ka dashur të presë. Takimi me Osmanin është refuzuar edhe nga PDK-ja. Kryetari i saj, Memli Krasniqi, tha se takimet e tilla konsultative nuk kanë ndonjë efekt.
Takimet me opozitën për draftstatutin e Asociacionit nuk i kanë shkuar mbarë presidentes Vjosa Osmani.
Nga tre krerët opozitarë, Osmani është takuar vetëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Për të njëjtën ditë, takim ishte planifikuar të zhvillohej edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj e atë të PDK-së, Memli Krasniqi.
Mbrapsht nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku e ka zyrën presidentja, është kthyer Haradinaj i AAK-së.
Në këtë parti thanë, se arsyeja e mosrealizimit të takimit është mosrespektimi i orarit të përcaktuar nga vetë presidentja.
“E kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draftstatutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, tha Xhemaili.
E nga Zyra e Osmanit thanë se Haradinaj nuk ka dashur të presë, derisa protokolli ka njoftuar presidenten për arritjen e tij.
“Takimi ishte paraparë të mbahej, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar presidenten për arritjen e tij. Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, tha këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Ndaj arsyetimit të Presidencës ka reaguar partia e Haradinajt.
Në AAK kanë thënë se protokolli i ka njoftuar se ende ishte duke u zhvilluar takimi me Kryetarin e LDK-së.
“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që Haradinajt nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar zotin Haradinaj se presidentja ishte akoma në takim me kryetarin e LDK-së. Dmth. ajo vetë e kishte caktuar orën e takimit dhe vetë nuk e kishte respektuar agjendën e vet. Kjo është e vërteta”, tha Xhemaili.
Për dallim nga Haradinaj, ftesën për takim nuk e ka pranuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Nga Ferizaji, ku ishte për vizitë, Krasniqi ka thënë se takimet e tilla nuk kanë ndonjë efekt në draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Me gjithë respektin për presidenten dhe pozicionin që ajo ushtron, nuk kam marrë pjesë në takimin e ftuar dje për arsye se ky ka qenë vetëm një takim konsultativ, i cili nuk jep asnjë efekt real në çështjet për të cilat është menduar se duhet të diskutohet. Padyshim që iu takon liderëve institucionalë që të marrin përgjegjësitë të cilat ju takojnë, por ju takon pak më shumë që vërtetë të krijojnë situata ku edhe inputet tona do të kenë një efekt”, tha Krasniqi.
Për dokumentin e hartuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për zhvillimet e tjera në vend, presidentja Vjosa Osmani, ka paralajmëruar edhe takime me përfaqësues të komuniteteve jo shumicë në Kuvend, me shoqërinë civile e me mediat.