Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështon takimi Osmani-Haradinaj

Ka dështuar të mbahet takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Në një përgjigje për KOHËN, AAK-ja tha të martën se ka pasur vullnet të mirë për të diskutuar mbi Draftstatutin e Asociacionit, por “presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo”.

“E kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj, ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, ka thënë zëdhënësi i partisë opozitare, Kushtrim Xhemaili.

E, Presidenca i ka thënë KOHËS se takimi s’është mbajtur për shkaqe protokollare, e Haradinaj “s’ka dashur të presë”.

“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, ka thënë këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

Sipas tij, Osmani e ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vijim.

Edhe Haradinaj nuk i shkon në takim Osmanit Arbëri 8 muaj më parë Haradinaj nuk i shkon në takim Osmanit

“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, thuhet tutje në përgjigjen e tij.

Osmani pati paralajmëruar takime me liderët opozitarë. Të hënën u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.