LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja akuzon qeverinë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

Qeveria e Kosovës po mundohen ta heshtin skandalin Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqi, kanë thënë përfaqësues të Partisë Demokratike. Ata e kanë akuzuar ekzekutivin për shkarkimin e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, Shemsi Hazirit. Përparim Gruda, i bëri thirrje prokurorisë që ta marrë përsipër këtë rast dhe t’i shkojë deri në fund.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë akuzuar qeverinë për ndërhyrje politike në sistemin gjyqësor.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi, Përparim Gruda, ka vlerësuar se shkarkimi i shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, Shemsi Hazirit ka për qëllim të parandalojë hetimet e zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe t’i frikësojë hetuesit e pavarur brenda Policisë.

“Në këto rrethana shkarkimi i drejtorit të Njësisë së Veçantë të hetimeve, që po hetonte këta zyrtarë të korruptuar është një përpjekje politike, është një ndërhyrje politike në hetim nga ana e qeverisë për të mbuluar skandalin e Martin Berishajt dhe për të penguar hetimet e mëtejme për këtë skandal të Martin Berishajt dhe për skandalin korruptiv të Nagip Krasniqit, ish-drejtorit të KEK-ut”, ka thënë Gruda.

Gruda i bëri thirrje prokurorisë që ta marrë përsipër këtë rast dhe t’i shkojë deri në fund.

Deklaroi se Partia Demokratike nuk do të lejojë që ky rast të heshtet.

“Po ashtu i bëj thirrje qeverisë së Kosovës, që të heqë dorë nga ndërhyrjet politike në organet që kryejnë hetime dhe të ndaloj këtë ndërhyrje që shprehet me shkarkime, me degradime të njerëzve për të mbuluar një skandal korruptiv”, ka shtuar ai.

Gruda ka përmendur edhe shkarkimin e drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Musli Salihu, duke thënë se nuk është rasti i parë që një zyrtar policor që ka hetuar Martin Berishajn është shkarkuar.

KOHA ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Brendshme lidhur me këto akuza, por nuk ka marrë përgjigje.