Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, e ka quajtur ndërhyrje të pastër politike të Qeverisë shkarkimin e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, Shemsi Hazirit.
Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, Gruda ka vlerësuar se Qeveria ka për qëllim të parandalojë hetimet e zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe t’i frikësojë hetuesit e pavarur brenda Policisë së Kosovës.
“Shkarkimi i Drejtorit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve tregon se kjo Qeveri dëshiron të mbroj më çdo kusht njerëzit e saj që janë nën hetime për korrupsion, dhe këtë po e bënë duke ndërhyrë në mënyre të papranueshme në procesin e hetimit ndaj tyre. Ky shkarkim shpjegon arsyen dhe motivet e vërteta pse Kryeministri Kurti dhe kjo Qeveri sulmonte prokurorin e shtetit me aq brutalitet pak ditë pas arrestimit të Nagip Krasniqit”, ka thënë Gruda. “Po ashtu, i bëjmë thirre Qeverisë së Kosovës që të heq dorë nga ndërhyrjet politike në organet që po zhvillojnë hetimet dhe t’i hap rrugë zbardhjes së kësaj afere. Me lejoni të jem i qartë për të gjithë nuk ka forcë që mund të mbylle dhe heshtë aferën korruptive të Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqi. Qytetarët e Kosovës do ta marrin vesh herët apo vonë të vërtetën e këtij skandali korruptiv”, ka shtuar ai.
Gruda më tej ka thënë se kryediplomatja Donika Gërvalla dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kanë më shumë se dy pasaporta dhe nuk do të jetojnë në Kosovë pasi PDK-ja ta marrë mandatin.
“Le ta dinë qytetarët e Kosovës, Martin Berishaj ka më shumë se dy pasaporta, nuk do të jetojë në Kosovë pasi ta marrim mandatin. Donika Gërvalla ka dy pasaporta, nuk do të jetojë në Kosovë pasi ta përfundojë mandatin. Të gjithë ne bashkë do të jetojmë këtu dhe do të merremi me riparimin e pasojave që i krijojnë sot”, ka thënë ai.