Reagime dhe pakënaqësi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nxitur publikimi i listës së kandidatëve për deputetë. Disa prej emrave që kanë mbetur jashtë ose janë renditur më poshtë në listë kanë shprehur kritika ndaj përbërjes së saj. Reagimi më i zëshëm ishte nga deputetja më e votuar e LDK-së në zgjedhjet e kaluara, Hykmete Bajrami, e cila pas renditjes në dhjetëshen e dytë tha se është lënë pas njerëzve që, sipas saj, deri dje e kanë luftuar LDK-në.
Publikimi i listës së kandidatëve për deputetë nga LDK-ja ka nxitur reagime të menjëhershme brenda partisë.
Emra që dikur përfaqësonin një pjesë të rëndësishme të strukturës së saj, por që tash janë zhvendosur nga top 10-shja e disa kanë mbetur jashtë garës, kanë shprehur pakënaqësi ndaj përbërjes së listës që udhëhiqet nga Vjosa Osmani.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMes reagimeve më të zëshme ishte ai i ish-deputetes më të votuar të LDK-së në zgjedhjet e kaluara, Hykmete Bajrami, e cila kritikoi përfshirjen e personave që, sipas saj, dikur ishin kundër LDK-së.
“Nga zyra e LDK-së më është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, ka shkruar Bajrami.
E ish-kryeministri Avdullah Hoti, që është renditur po ashtu në dhjetëshen e dytë, ka shkruar në Facebook se “numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, duke shtuar se numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët.
Ka reaguar edhe ish-deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, i cili ka shkruar se “ndonëse renditja ka peshë megjithatë më e rëndësishme është lidhja që krijohet me qytetarin, besimi që ndërtohet dhe puna që bëhet me përkushtim”.
Jashtë listës ka mbetur ish-deputeti nga Prizreni, Xhavit Ukaj, por ka thënë se do të angazhohet për ta ndihmuar partinë.
“Edhe pse jam larguar nga lista, kjo nuk do të thotë se jam larguar nga aktiviteti im 36-vjeçar në LDK. Përkundrazi, që nga orët e hershme të mëngjesit, pas shumë telefonatave nga bashkëveprimtarë, vendas dhe shokë të mi të përditshëm, dua t’ju bëj me dije se menjëherë kam filluar angazhimin në fushatë. Si çdo herë tjetër, do të jem aktiv njëjtë sikur të isha vetë në listë. Së bashku me kryetarin e degës Driton Selmanaj do të jemi krah për krah për ta forcuar LDK-në në Prizren”, ka vlerësuar Ukaj.
E Driton Selmanaj i cili ka thënë se vetë ka kërkuar që të mos jetë në listë për deputet ka shkruar në Facebook se krahas të qenit kryetar dege do të jetë edhe shef i shtabit zgjedhor të LDK-së në Prizren.
Ndërsa zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një emision televiziv ka lënë të kuptohet se bazuar në statutin e partisë, lista e deputetëve hartohet nga bartësja që në këtë rast është Vjosa Osmani në koordinim edhe me kryetarin Abdixhiku.
Në dhjetëshen e parë të LDK-së pos Osmanit janë edhe dy kandidate që ajo i ka prezantuar si prurje të reja - Albena Reshitajn e Jeta Statovcin, të cilat në legjislaturën e kaluar ishin deputete të koalicionit qeveritar.
Në listën e LDK-së, në dhjetëshen e dytë si prurje nga ish-presidentja Osmani janë futur edhe Fahrije Hoti e Burim Meta.