Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pakënaqësi për listat

Rinumerimi

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Reagime dhe pakënaqësi brenda disa subjekteve ka nxitur publikimi i listave të kandidatëve për deputetë. Disa prej emrave që kanë mbetur jashtë ose janë renditur më poshtë në listë kanë shprehur kritika ndaj përbërjes së saj. Reagimet më të mëdha janë bërë në LDK, ndërsa pakënaqësi janë shprehur edhe për PDK-në. E, LVV-ja është kritikuar edhe për përfshirje në listë të kandidatëve që kanë qenë të dënuar

Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë, është përcjellë të mërkurën edhe me pakënaqësi brenda subjekteve politike e edhe me reagime jashtë tyre.

Më të mëdhatë kanë qenë në Lidhjen Demokratike (LDK). Në listën e këtij subjekti politik sipër u ranguan shumë eksponentë të propozuar nga Vjosa Osmani, e cila është rikthyer në këtë parti pas më shumë se pesë vjetësh, kur e kishte braktisur për t’iu bashkuar Vetëvendosjes, me nismën e saj “Guxo”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Emra që dikur përfaqësonin një pjesë të rëndësishme të strukturës së saj, por që tash janë zhvendosur nga top 10-shja e disa kanë mbetur jashtë garës, kanë shprehur pakënaqësi ndaj përbërjes së listës që udhëhiqet nga Osmani. 

Mes reagimeve më të zëshme ishte ai i ish-deputetes më të votuar të LDK-së në zgjedhjet e kaluara, Hykmete Bajrami, e cila kritikoi përfshirjen e personave që, sipas saj, dikur ishin kundër LDK-së.

“Nga zyra e LDK-së më është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, ka thënë ajo. “Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë”.

E ish-kryeministri Avdullah Hoti, që është renditur po ashtu në dhjetëshen e dytë, ka shkruar në Facebook se “numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, duke shtuar se numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët.

Ka reaguar edhe ish-deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, i cili ka qenë edhe kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie. Ai ka shkruar se “ndonëse renditja ka peshë megjithatë më e rëndësishme është lidhja që krijohet me qytetarin, besimi që ndërtohet dhe puna që bëhet me përkushtim”.

Jashtë listës ka mbetur ish-deputeti nga Prizreni, Xhavit Ukaj, por ka thënë se do të angazhohet për ta ndihmuar partinë. 

Në dhjetëshen e parë të LDK-së pos Osmanit janë edhe dy kandidate që ajo i ka prezantuar si prurje të reja - Albena Reshitajn e Jeta Statovcin, të cilat në legjislaturën e kaluar ishin deputete të koalicionit qeveritar.

Në listën e LDK-së, në dhjetëshen e dytë si prurje nga ish-presidentja Osmani janë futur edhe Fahrije Hoti e Burim Meta.

Pakënaqësi janë shprehur edhe në Partinë Demokratike (PDK). Kjo pasi, si edhe parti të tjera, edhe ky subjekt politik ka përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë njerëz që në zgjedhjet e fundit u përmendën në skandalin e manipulimit të votave në qendrat e numërimit, e disa prej tyre edhe me precedentë penalë. 

Ndonëse Fetah Paçarizi, në emër të të cilit u manipuluan mbi 6 mijë vota, mbeti jashtë listës së PDK-së, pjesë e saj vazhdojnë të jenë emra si Nait Hasani, Fadil Demaku dhe Enver Hoxhaj, te rezultati i të cilëve janë evidentuar vota të manipuluara. 

Përfshirja e Hasanit ka nxitur reagime edhe brenda degës së PDK-së në Prizren, ku emri i tij u cilësua si i komprometuar.

“Ka qenë kërkesë e kryetarit të PDK-së, z. Hamza që dega e PDK-së, në Prizren të reflektojë pas komprometimit të procesit të numërimit të votave. Dega në Prizren ka reflektuar. Disa kandidatë që iu ka përmendur emri janë tërhequr dhe duke respektuar kërkesën e kryetarit ne nuk e kemi propozuar emrin e asnjë personi që është përmendur. Personat që janë përmendur a janë fajtorë apo jo ne nuk e dimë derisa të vijë një verdikt ligjor. Por, deri atëherë e kemi konsideruar që duhet të reflektojmë dhe kemi reflektuar, mirëpo në anën tjetër, Nait Hasani është aty, ka edhe të tjerë, nuk dua t’i komentoj emrat”, ka thënë Shaqir Totaj – Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, gjatë një interviste në emisionin “tre8tre” të KTV-së.

E, burime të KOHËS kanë thënë se PDK-ja është përballur me pakënaqësi edhe në një prej bastioneve të saj, në Drenas. Ndryshe nga herët e tjera, ku në listë kanë qenë rreth 10 kandidatë nga kjo degë, në listën e tashme janë gjithsej 3.

Një burim theksoi se kjo lidhet me problemet në degë.

“Shumë kandidatë kanë refuzuar të jenë në listë, sepse nuk janë marrë veprime për ta unifikuar degën ose për të pasur garë që garanton rezultat. Edhe në orët e fundit disa nga kandidatët kanë refuzuar të nënshkruhen në listë, ndonëse u është kërkuar me ngulm”, ka thënë ky burim.

Në Drenas, aktualisht nuk ka as ushtrues detyre të kryetarit të degës, meqë Petrit Hajdari ka liruar pozitën ditë më parë, me kërkesë të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Ndërkaq, kanë vazhduar ndasitë mes kampit që ai përfaqëson, dhe Ramiz Lladrovcit, që në zgjedhjet e fundit fitoi garën për kryetar komune, duke garuar me subjekt të vetin politik.

Pakënaqësi janë shprehur edhe në lidhje me kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Në partinë më të madhe janë përfshirë në listë edhe emrat si ai i Arbër Rexhajt të cilit iu shtuan 628 vota e Valon Hoti të cilit iu shtuan 312 vota shkaku i manipulimeve në numërim.

Gëzim Hazrolli i LDK-së të cilit po ashtu iu shtuan 340 vota në Malishevë gjatë numërimit të votave të zgjedhjeve të fundit është përsëri në listën e kësaj partie. 

LDK-ja e ka rikthyer në listë edhe Hysen Çekajn, që partia në pushtet e ka denoncuar për manipulim me vota, meqë ai mori vota me postë në mënyrë disproporcionale.

Çekaj kishte arritur të bëhej deputet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025-tës pikërisht shkaku i atyre votave.

E krahas atyre që kanë përfituar nga dallaveret në numërim të votave ka kandidatë të dënuar nga shkallë të ndryshme gjyqësore dhe të akuzuar për vepra penale. 

Për këtë ka komentuar edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi i cili tha se në këtë raport prin LVV-ja me 9 kandidatë. 

Nga krahasimi i listave zgjedhore të 7 qershorit dhe raportit të IKD-së mbi integritetin e listave zgjedhore të dhjetorit të 2025-tës del se partitë i kanë përsëritur 13 persona që përmendeshin si persona me aktakuza aktive.

Për 120 ulëse në Kuvend, në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas të dhënave të KQZ-së, do të garojnë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë.