LAJMET E MBRËMJES

Osmani për draftin e Asociacionit: Ka çështje që krijojnë dykuptimësi

Presidentja Vjosa Osmani theksoi se draftstatuti i Asociacionit përmban edhe çështje me dykuptimësi, për të cilat shprehu domosdonë që të adresohen përpara se dokumenti të shkojë në Kushtetuese. Ajo pranoi se në këtë draft ka edhe parime që ndodhen në marrëveshjen e 2015-s.

Drafti i ri i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe përmban çështje që mund të shkaktojnë probleme në praktikë, vlerësoi presidentja Vjosa Osmani.

Pa pranuar të ndajë hollësi për përmbajtjen e tij, presidentja Osmani tha se ato duhet sqaruar qoftë edhe para se dokumenti të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese. Mirëpo në qoftë se jo, unë jam e bindur që Gjykata do t’i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vetë gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015”, tha Osmani.

Megjithëkëtë, presidentja Osmani ka pranuar se ka edhe parime të marrëveshjes së 2015-s që ndodhen në draftstatutin aktual.

“Në vitin 2015 ka pasur një dokument parimesh, i cili është dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Shumë prej atyre parimeve të vitit 2015 janë shpallur kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Dhe parime të tilla, shumë prej tyre nuk janë tani në draftin aktual”, tha Osmani.

E, përfaqësuesi diplomatik i një prej shteteve kryesore që ka sponsorizuar edhe Marrëveshjen Bazë e edhe draftstatutin e Asociacionit, shprehu bindjen se dokumenti është në përputhje me Kushtetutën.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, bëri thirrje që Asociacioni të formohet sa më shpejt.

“Jam 100 për qind i sigurt se nuk po bëjmë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbështesim plotësisht Kosovën, dhe Asociacioni duhet të krijohet sa më shpejt aq më mirë dhe atëherë mund të bëjmë një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë”, tha Rohde.

Kryeministri Albin Kurti është pajtuar me përmbajtjen e draftstatutit të Asociacionit, por ka kushtëzuar pranimin përfundimtar vetëm nëse ai nënshkruhet në pako me Marrëveshjen Bazë dhe me Aneksin e Zbatimit, dokumente në të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i firmosë.