Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paralajmërimet për draftstatut të ri për Asociacionin “të pakuptimta”

Pas një dekade, në vend që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, po paralajmërohet hartimi i statuteve të reja për formimin e tij. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë veçse ka thënë se është i gatshëm ta shkruajë.

Për analistin politik nga Prishtina, Arton Demhasaj, është “e pakuptimtë” të flitet për hartimin e një statuti të ri për formimin e Asociacionit, kur Bashkimi Evropian (BE) në bashkëpunim me të dërguarit ndërkombëtarë tashmë ua kanë paraqitur një dokument të tillë Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, politologu serb, Ognjen Gogiq, vlerëson se Prishtina zyrtare po përpiqet t'ia “humbë kuptimin” e procesit të formimit të Asociacionit dhe se ky është një “bumerang” që i kthehet BE-së. Në këtë kontekst ai sqaron se Marrëveshja e Brukselit parasheh që statuti të shkruhet nga ekipi menaxhues serb dhe se për atë dokument është dashur të bëhen komente dhe jo të shkruhet një i ri.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhej të siguronte një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës. Për të është rënë dakord në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve më shumë se dhjetë vjet më parë, por Kosova ka refuzuar me shpjegimin se kjo mund të ndikojë negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draftstatutin për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.
Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.

Edhe Heshtja e Qeverisë për Asociacionin LAJMET E MBRËMJES Heshtja e Qeverisë për Asociacionin

Ai sugjeroi që ta shkruajë në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe atë të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.
Më pas edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina duhet të shkruajë një statut në bashkëpunim me SHBA-në.

Çfarë thonë në BE?

Bashkimi Evropian thotë se Kosova në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rastin të paraqesë një draftpropozim për formimin e Asociacionit dhe se tani pret që ajo të ndërmarrë hapa konkretë.

“Në këtë fazë të avancuar të procesit pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, thotë për REL-in zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai përsëriti se draftstatuti i hartuar nga BE-ja është një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave.
"Ne presim që të dyja palët t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në këtë draft", tha Stano.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a do të fillojë me shkrimin e një drafti të ri të statutit apo do të mbetet në qëndrimin se drafti i hartuar nga BE-ja është i pranueshëm. Por deri në publikimin e këtij teksti përgjigjja nuk erdhi. Nuk janë përgjigjur as nga Presidenca e Kosovës.

Drejtori i organizatës joqeveritare Çohu, Arton Demhasaj, në një prononcim për REL-in, konsideron me dije se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dashur ta shkruante draftin e statutit para se ta bënte atë bashkësia ndërkombëtare.

Edhe Në sirtarë të ekzekutivit qarkulluan draft-statute për Asociacionin Arbëri Në sirtarë të ekzekutivit qarkulluan draft-statute për Asociacionin

“Tani që e kemi draftin e BE-së është e pakuptimtë të bëjmë një draft tjetër të Qeverisë së Kosovës, aq më pak tani që kryeministri e ka pranuar në parim dhe kur thuhet se drafti është në përputhje me Kushtetutën e vendit”, vlerëson Demhasaj.

Politologu Ognjen Gogiq thotë se tani i takon Kosovës që ta përcjellë statutin e hartuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, por vëren se formimi i Asociacionit nuk mund të fillojë derisa të mbahen zgjedhjet lokale në komunat e banuara me shumicë serbe në veri.

“Tani që nuk dihet se kush duhet ta shkruajë statutin, Kosova mund ta shfrytëzojë hapësirën për ta komplikuar të gjithë diskutimin”, thotë Gogiq.

Në një videomesazh në fund të dhjetorit 2023, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja pret të shohë përparim në normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2024. Në këtë kontekst ai tha se edhe Kosova, edhe Serbia duhet t'i përmbushin obligimet e tyre nga dialogu, duke përfshirë edhe përparimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, SHBA-ja e mbështeti draftstatutin që më parë iu paraqit Kosovës dhe Serbisë.

Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

Edhe Draftstatuti i BE-së për Asociacionin “nuk ka gjasa të anulohet” Arbëri Draftstatuti i BE-së për Asociacionin “nuk ka gjasa të anulohet”

Gjithashtu ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

Përveç draftit nga BE-ja, deri më tani janë hartuar edhe katër draftstatute të tjera për formimin e Asociacionit: Draftstatuti i Ekipit Menaxhues, drafti i vizionit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draftistatuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draftstatuti i Asociacionit i përgatitur nga organizata gjermane “Friedrich-Ebert-Stiftung” (FES)./REL