Arbëri

Në sirtarë të ekzekutivit qarkulluan draft-statute për Asociacionin

Veriu i Kosovës

Në Bashkimin Evropian nuk janë deklaruar rreth ofertës së kryeministrit Albin Kurti për ta dhënë propozimin e tij rreth draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, megjithëse për këtë ka insistuar prej vitesh. Në pritje të ndërmarrjes së hapave për përmbushjen e nenit 7, i cili flet për “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”, deri tash nëpër sirtarët e ekzekutivit kanë qarkulluar edhe draft-statute, për njërin prej të cilëve KOHA ka mësuar se ishte hartuar gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, por që nuk ishte dërguar asnjëherë në Bruksel

Pas negociatave të gjata dhe intensive, kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në pikën për të cilën Bashkimi Evropian ka insistuar prej një kohe të gjatë – dhënien e një propozimi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë propozim ai e ka bërë në kuadër të takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në të cilin ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar rreth aneksit të implementimit të Planit evropian për dialogun, porse nuk kanë vënë nënshkrime në letër. Për propozimin Kurti ka treguar nëpërmjet rrjeteve sociale dhe ka thënë se është refuzuar nga presidenti serb Vuçiq.

Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se propozimi është mbështetur në letrën që ish-shefja e BE-së, Federica Mogherini, ia pati dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa; në aktgjykimin e Kushtetueses të vitit 2015 për Asociacionin; si dhe në qëndrimin e zyrtarëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, të publikuar në KOHA disa ditë para takimit në Ohër.

KOHA ka pyetur në zyrën e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, lidhur me ofertën e Kurtit, porse ka munguar përgjigjja. As Zyra e kryeministrit nuk ka treguar se cili ka qenë pozicioni i BE-së rreth propozimit.

Mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi, duke e kërkuar edhe zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, kanë ofruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), teksa emisari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte edhe në takimin e Ohrit.

Në Ambasadën amerikane në Kosovë nuk u janë përgjigjur pyetjeve rreth propozimit të Kurtit për Asociacionin, porse jozyrtarisht i kanë sugjeruar KOHËS që t’u referohet deklaratave publike të Escobarit.

Gjatë vizitave të shpeshta në Prishtinë, Escobar pati deklaruar se Asociacioni duhet të themelohet, bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk do të lejohet që në Kosovë të krijohet një “Republikë Serbe”, e ngjashme me atë në Bosnjë-Hercegovinë.

Pas publikimit të Aneksit të implementimit të Planit evropian, Borrelli ka përsëritur disa herë se BE-ja pret veprime të menjëhershme rreth implementimit të nenit 7, i cili flet për “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb” në Kosovë. Por as në BE dhe as në Qeveri nuk kanë treguar ende se cilët janë hapat e menjëhershëm që duhet të ndërmerren.

Por emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka bërë të qartë se neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Sipas tij, ky nen flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar, duke iu referuar Asociacionit.

“Kjo i nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin për themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus neni 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Lajçak ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahet një takim në nivel kryenegociatorësh për të filluar punën rreth zbatimit të dispozitave të Marrëveshjes.

Draftet e qeverive të kaluara

Referuar praktikës së negociatave të mëhershme, pas Marrëveshjes për Asociacionin qeveritë mandatonin grupe punuese për draftimin e statutit të Asociacionit, në përbërje të të cilit kanë qenë vetëm serbë. Ndonëse janë përpiluar edhe drafte, ato asnjëherë nuk janë bërë publike.

Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes së vitit 2015 nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i pati rinisur Qeveria e ish-kryeministrit Mustafa. Kësisoj, bazat e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ishin vënë në vitin 2016 nëpërmjet draft-statutit që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në Qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për Aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar KOHA në vitin 2021.

Bazë për themelimin e Asociacionit merrej Ligji i datës 27 qershor 2013 mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23 dhjetor 2015, përkitazi me kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së vitit 2015. Ndërkaq Marrëveshja e parimeve e vitit 2015 ishte anashkaluar dhe sipas autorit të dokumentit, Enver Hasani, kjo është bërë me arsyen se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e përfshin edhe Marrëveshjen e 2013-s, mbi bazën e së cilës është kërkuar themelimi i Asociacionit.

Statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës me Shumicë Serbe definohej si akti më i lartë që miratohet nga Kuvendi i këtij mekanizmi.

Në nenin 2, Asociacioni përkufizohej si person juridik që i përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj, autoritetet lokale, interesat e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera që banojnë në territorin e qeverisur prej këtij mekanizmi. Më tej, siç shkruante në këtë draft, Asociacioni i Komunave ka xhirollogarinë e vet, si dhe emblemën në të cilin shkruan: “Asociacioni i Komunave të Kosovës me Shumicë Serbe – Kosovë”.

Aty iu bëhet përshkrim edhe kompetencave që do t’i ketë. Pika që kishte shkaktuar debat ka qenë ajo për mbikëqyrjen e shumë fushave.

“3.5. Krahas prerogativës së Asociacionit të Komunave nga neni 4 i Marrëveshjes së Parë për mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural, Asociacioni i Komunave organizon dhe koordinon aktivitetet e anëtarëve të vet në sferën e investimeve, të zhvillimit ekonomik, mbrojtjes shëndetësore, mirëqenies dhe shërbime sociale, zgjidhjes së konflikteve, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, si dhe në sferën e bashkëpunimit me asociacionet si motra, rajonet kufitare dhe me organizatat ndërkombëtare rajonale e universale”, thuhet në këtë draft-statut.

Në fund të dokumentit përcaktohet se pas hartimit nga Ekipi Menaxhues, statuti paraqitet në dialogun e nivelit të lartë brenda katër muajve. Po ashtu, parashihej që statuti të kalojë në Kuvend të Asociacionit për miratim, si dhe që Qeveria të nxjerrë vendim të veçantë për themelimin e tij. Ashtu siç parashihej me dokumente të tjera, ato në fund do të duhej t’i nënshtroheshin edhe verifikimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel, për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk duan Asociacion sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Aktgjykimit të vitit 2015.

“Sa isha kryeministër i pata ftuar tri herë serbët në zyrën time, së bashku me përfaqësuesit e SHBA-së, të BE-së dhe të OSBE-së, por nuk treguan interesim që të punojnë në Statut, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj nuk është përgatitur asnjë version për Brukselin”, pati theksuar Mustafa.

Hasani: Tash e tutje vendos BE-ja, oferta e Kurtit nuk ka relevancë

E ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti dhe dokumentet të cilat i ka përcjellë bazohen në tërësi në Kushtetutën e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur. Ai ka dhënë edhe një interpretim krahasues me obligimet e marra përsipër nga Qeveria aktuale.

“Kurse tani do të bëhet themelimi i autonomisë territoriale të serbëve të Kosovës si një pushtet paralel që rivalizon dhe konkurron pushtetin qendror në vend. Tani çdo gjë lidhur me mënyrën e implementimit dhe dinamikat e tij është në duart e trupës së BE-së që do të formohet së shpejti. Sipas planit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, palët nuk guxojnë të bllokojnë dhe as të diktojnë renditjen e zbatimit të neneve të Marrëveshjes. Kjo nënkupton që së shpejti bëhet e ditur mënyra e formimit të autonomisë serbe në Kosovë, kurse ofertat që përmendën nga z. Kurti nuk kanë asnjë relevancë”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se është ende herët për të folur rreth zbatimit të nenit 7, “sepse tani e tutje sigurimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të atij neni dhe të krejt Marrëveshjes së Ohrit e bën një trup i veçantë i BE-së që do të formohet së shpejti”. “Ai trup do të caktojë dinamikat konkrete për Qeverinë Kurti sa i përket themelimit të strukturave institucionale të autonomisë serbe në Kosovë”.

Edhe qeveria pasuese e Mustafës, e cila udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, pati mandatuar Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit. Pas dorëzimit të draftit, asnjëherë nuk ishte zbardhur përmbajtja e tij. Haradinaj ia pati kthyer Ekipit Menaxhues dokumentet për t’i bërë përmirësimet e nevojshme dhe përkthimin nga gjuha shqipe, pasi që ishte dorëzuar vetëm në cirilikë. Afati i fundit për ta dërguar statutin në Bruksel ishte vënë 4 gushti i vitit 2018. Por Qeveria e as BE-ja nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ka ndodhur me këtë dokument, kur nga kabineti i Kurtit, pas ardhjes në krye të Qeverisë, patën deklaruar se nuk është trashëguar asnjë draft i Asociacionit.

Krahas ekipit menaxhues, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishin iniciuar themelimin e një grupi punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë. Por këto grupe nuk ishin aktivizuar asnjëherë.

Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e Parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kishin shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë kanë pasur edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës – Liqenin e Ujmanit dhe “Trepçën”.