Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tentoi ta prishte takimin në kuadër të Samitit Bërdo-Brioni në Durrës, dhe se ai u ankua për aleancën ushtarake mes Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë. Për mospajtimet me Osmanin para mediave serbe u deklarua edhe Vuçiqi, duke thënë se presidentja e Kosovës nuk ka të drejtë të flasë për integritet territorial
Përplasje mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur në takimin e Samitit të Bërdo-Brionit, të hënën në Durrës.
Tek foli për zhvillimet brenda takimit me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani tha se presidenti i Serbisë ka tentuar ta prishë takimin duke u drejtuar me arrogancë e fyerje. Mes tjerash, presidenti serb u ankua edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan në fillim të këtij viti në fushën e mbrojtjes.
“Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin që të prishë takimin. Arritëm në fund që të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet dhe natyrisht për çdo propagandë që Vuçiq synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme. Argumentet në anën e së drejtës dhe ato që janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Osmani.
Osmani u shpreh se aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci nuk është e drejtuar kundër askujt.
Edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, theksoi ajo.
Mosmarrëveshjet me presidenten e Kosovës i konfirmoi edhe Vuçiqi, duke thënë se ato erdhën në diskutimin për integritetin territorial.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Dhe pastaj barku juaj kthehet përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën...Kështu që ne ia kujtuam ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, uruam më shumë turizëm në jetën e saj dhe kaq”, ka thënë Vuçiqi.
Sipas Vuçiqit, në samit kanë marrë pjesë pa u përmendur shtetet, gjë të cilën e ka cilësuar trashëgimi të mirë të këtij procesi.