48-vjeçari Nysret Cena është qëlluar për vdekje, derisa ndodhej në veturën e tij. Sipas autoriteteve, në automjetin që po e ngiste është shtënë nga afër me kallashnikov, ndërkaq vetura nga e cila dyshohet të jetë shtënë është gjetur e djegur rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.
Në Polici e as në Prokurorinë e Ferizajt nuk kanë dhënë detaje për rastin, por kanë thënë se për të po zhvillohen hetime intensive.
“Hetimet po zhvillohen dhe po zhvillohen në mënyrë intensive. Një armë AK-47 (kallashnikov) është gjetur në veturën e djegur. Por nuk ka diçka konkrete”, tha Shukri Jashari, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Familjarë e të të ndjerit nuk kanë folur pas rastit.
Nysret Cena ishte i liruar nga akuza, pasi fillimisht ishte i dyshuar në dy raste vrasjesh që kishin ndodhur në 2007-n: Për një vrasje të trefishtë në Kaçanik, si dhe për vrasjet në rastin “Sekiraça”. Ndërkaq në 2012-n është dënuar me një vit e dy muaj burgim, pasi ai dhe tre të akuzuar të tjerë kishin detyruar tre persona të tërhiqeshin nga një tender i Agjencisë së Mirëbesimit, për një fermë delesh në Rakaj të Ferizajt.