(Tekst i përditësuar) - Një 32-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri të dielën rreth orës 22 e 50 në një banesë në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë viktima është identifikuar me inicialet F.H., ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se për rastin është ndaluar një vajzë. Gjithashtu thuhet se është ndaluar edhe babai i saj, siç thuhet deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast.
“Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Policisë vajza e dyshuar është A.R. 24,vjeçe, ndërsa babai i saj është M.B. 48-vjeçar.
Policia ka njoftuar se e lënduar në rast është edhe e dyshuara A.R. e cila thuhet se mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.
“Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin aty bashkëshortja, si dhe vajza e tij A.R. (24 vjeçe). Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Kërkohet paraburgim ndaj 24 vjeçares në Ferizaj që dyshohet për vrasjen e të dashurit
Prokuroria Themelore ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës se paraburgimit ndaj 24 vjeçares, e dyshuar për vrasjen e të dashurit të saj, 32 vjeçarit.
Ndërsa, babai i saj i cili ishte ndaluar deri në sqarimin e plotë të rrethanave, me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28 Qershor 2026, rreth orës 22:40 në Ferizaj, rruga ‘Sejdi Sejdiu’, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Vrasja’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Tutje thuhet se lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima- tani i ndjeri (F.H.,) për të cilat ka marr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).