Një person është djegur tërësisht brenda një veture të dielën në fshatin Leshan të Suharekës, rreth orës 14:24.
Policia e Kosovës njoftoi për KOHËN se autoritetet policore janë njoftuar nga një qytetar se vetura po digjej, e në vendin e ngjarjes është gjetur, derisa u tha se brenda saj ishte 82-vjeçari me inicialet M.G.
Mbi këtë ngjarje po zhvillohen hetime policore, e rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e zjarrfikësve, emergjenca dhe eksperti i zjarreve.
“Më datë 04/05/2025, rreth orë 14:24 një person nëpërmes telefonit ka raportuar policin se në fshatin Leshan, Suharekë, te vendi i quajtur ‘Tuma’ është duke u djegur një veturë dhe brenda veturës gjendet një person i mbuluar nga flaket e zjarrit. Patrulla policore menjëherë ka shkuar në vend të ngjarjes si dhe janë informuar të gjitha njësitet përgjegjëse për rastin si: Zjarrfikësit, Emergjenca, Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor të Suharekës dhe Sektori Rajonal i Hetimeve si dhe eksperti i zjarreve. Nga informatat e para dyshohet se te vendi i quajtur ‘Tuma’ personi M.G. mashkull 82 vjeçar i cili ishte brenda automjetit të tij ishte përfshirë tërësisht nga zjarri, me atë rast personi i cili kishte mbetur brenda ishte i djegur tërësisht me gjithë veturën në vend të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit policor për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.