Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të enjten, ka nisur fushata informuese e Qeverisë për liberalizimin e vizave. Kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat e udhëtimit, pasi, siç tha, në të kundërtën shteti rrezikon kthimin e regjimit të vizave
Me këtë kombibus të destinuar të shkojë në të gjitha komunat e vendit, Qeveria ka nisur të enjten fushatën informuese për rregullat e udhëtimit në shtetet e zonës Schengen.
Për qytetarët u shpërndan fletushka informuese, e disa prej tyre morën pjesë në një kuiz me pyetje për shtetet e Bashkimit Evropian.
Qytetarët kanë shprehur mendime të ndryshme sa i përket ndikimit që do të ketë heqja e regjimit të vizave më 1 janar 2024.
“Ne po i përgatisim fëmijët tonë e po i shkollojmë dhe po i jepem për tjetër shtetet, në vend që të kontribuojnë në shtetin tonë tash do të shkojnë diku tjetër”, tha qytetari Muhamet Makolli.
“Kjo është një lehtësi e madhe dhe shumë pozitive që praktikisht është një etapë e një arritur për Kosovën për shkak se Kosova ka qenë e mbyllur, dhe komunikimi me botën e qytetëruar do të jetë i madhe edhe pse ka mendime që Kosova do të zbrazet, unë e them që do të zbrazet e do të kthehen prapë”, tha qytetari Shyqri Dumani.
Kryeministri Albin Kurti liberalizimin e quajti proces të vonuar. Ai u bëri thirrje qytetarëve t’i respektojnë rregullat e udhëtimit.
“Liberalizimi i vizave është për vizita afatshkurtër dhe jo për studime dhe punë... Qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm se shkeljet e rregullave edhe individualisht, por kur pastaj të mblidhen mund të çojnë në gjoba dhe në ndales të zonës schengen”, tha kryeministri Albin Kurti.
Bazuar në vendimin e Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në ditën kur funksionalizohet sistemi evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, i njohur si ETIAS, por në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.
E Bashkimi Evropian ka njoftuar se ky sistem do të funskionalizohet në fund të vitit të ardhshëm.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE-së, pos në Spanjë dhe në disa shtete që nuk janë pjesë e bllokut, por janë pjesë e zonës Schengen.