Nga Kosova për në Ukrainë është nisur të martën një konvoj prej 12 automjetesh të EULEX-it, të mbushura me gjëra ushqimore. Përfaqësues institucionalë thanë se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë, e ata të misioneve ndërkombëtare në vend kanë vlerësuar këtë mbështetje që Kosova e ka dhënë që nga fillimi i agresionit rus
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka nisur të martën 12 automjete me ushqime për në Ukrainë, pas nevojave për ndihmë që janë krijuar që nga nisja e agresionit ushtarak nga Rusia.
Në ceremoninë e mbajtur në selinë e EULEX-it në Prishtinë, Lars-Gunnar Wigemark, shef i Misionit, ka thënë se secili prej automjeteve është i mbushur me furnizime humanitare.
“Jemi mbledhur paradite të dërgojmë 10 automjete të EULEX-it në Ukrainë, si dhe dy automjete shtesë për të burgosurit, që i shihni anash. Këto 12 automjete do t’iu dhurohen policisë shtetërore dhe asaj kufitare të Ukrainës”, ka thënë ai.
Sipas Wigemark-ut, solidariteti i Kosovës me Ukrainën është i dukshëm në shumë mënyra, dhe përmes veprimeve ajo po e dëshmon se ku e ka vendin.
“Ky donacion është vetëm një pjesë e mbështetjes së EULEX-it për vëllezërit dhe motrat në Ukrainë. Para 3 muajve EULEX-i ka dhuruar një numër të jelekëve antiplumb dhe helmeta për kolegët tanë në misionin në Ukrainë. Shumë qytetarë të Kosovës e dinë shumë mirë se çfarë nënkupton të bëhesh refugjatë dhe të ballafaqohesh me agresionin”, ka thënë ai.
Edhe
Konvoji i EULEX-it niset nga Kosova me ndihma për Ukrainën
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka falënderuar EULEX-in për këtë iniciativë, të cilën e ka cilësuar kreative dhe të dobishme.
“Ne qëndrojmë fuqishëm në anën e Ukrainës. Jo vetëm rezoluta të cilën e ka miratuar Parlamenti i Kosovës që në ditët e para, por edhe me masat e tjera, duke përfshirë programin e gazetarëve në Kosovë, pastaj ndihmën humanitare, sanksionet kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe të tjerëve, si dhe të gjitha masat politike dhe sociale që kemi ndërmarrë”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka theksuar se të gjithë ukrainasit duhet ta dinë se qytetarët e Kosovës bashkëndiejnë me ta dhe i kuptojnë mirë se nëpër çfarë janë duke kaluar.
Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se do të vazhdohet që të shqyrtohen mënyra për t’ia bërë me dije Rusisë që rruga të cilën e ka nisur nuk është e duhura.
“Lufta në Ukrainë ka qenë sfida më e madhe gjeopolitike dhe e sigurisë për Evropën. Unë jam krenar që BE-ja ka reaguar në mënyrë shumë të qartë dhe të fuqishme. Ajo është bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe është bashkuar gjithashtu në sanksionimin e Rusisë duke ofruar ndihmë të konsiderueshme humanitare dhe të sigurisë”, ka thënë Szunyog.
Ai ka thënë se ndihet krenar që Kosova është rreshtuar krah BE-së dhe partnerëve të tjerë perëndimorë.
“Kjo do të thotë se jo vetëm që ka marrë qëndrim të qartë politik, por është rreshtuar në sanksionimin ndaj Rusisë dhe duke ndihmuar refugjatët dhe duke strehuar gazetarët ukrainas. Kjo është porosi e fuqishme që tregon qartë se Kosova e ka vendin në mesin e familjes së BE-së”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së. “Kosova, si edhe i tërë rajoni i Ballkanit Pperëndimor janë lart në agjendën e Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë me prezencën e BE-së në Kosovë, për ta ndihmuar Kosovën përmes EULEX-it”.
Përfaqësuesi kombëtar i lartë i kontingjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko, ka thënë se donacionet e dhuruara, përveç inkurajimit, përbëjnë edhe mbështetje praktike.
Edhe
Kosova do t’i dërgojë mjete ushtarake Ukrainës
“Emocionet e mia janë të përziera sot. Në njërën anë ndihem i turpëruar, ndërsa shokët e mi janë duke sakrifikuar jetën e tyre për Ukrainën, në anën tjetër jam shumë krenar sot që ndodhem këtu dhe shërbej krah kolegëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që gjithmonë janë të gatshëm të ndajnë barrën, me çfarë i dërgojnë një sinjal të qartë gjithë botës se Ukraina nuk është e vetme në këtë luftë”, ka thënë Nastenko.
BE-ja ka ndarë më shumë se 4 miliardë euro për Ukrainën si ndihmë humanitare dhe 1.5 miliardë euro si ndihmë për sigurisë dhe mbrojtjen.