Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konvoji i EULEX-it niset nga Kosova me ndihma për Ukrainën

Një konvoj i EULEX-it me 10 automjete dhe dy furgonë të mbushur me ndihma të ndryshme, u nis të martën nga Kosova, për t’ua dorëzuar ato trupave ukrainase, me qëllim që t’u dilet në ndihmë pas agresionit rus.

Sipas njoftimit të EULEX-it, 10 automjetet e mbushura me artikuj ushqimorë, rroba, thasë gjumi, materiale higjienike e furnizime mjekësore do t’i dhurohen Shërbimit të Rojës Kufitare të Ukrainës nëpërmjet Misionit Këshillues të Bashkimit Evropian. Ndihmat e grumbulluara u paguan nga stafi ndërkombëtar dhe vendas i EULEX-it.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi se pret që tërë Evropa të tregojë solidaritet me popullin ukrainas, por edhe të sigurojë “që kjo luftë të përfundojë ashtu siç duhet, duke fituar Ukraina”.

“Ne e dimë që ju jeni duke luftuar për të gjithë ne evropianët, ndërsa të gjithë ne duhet të qëndrojmë shumë të fortë në anën tuaj. Më lejoni t'ju kërkoj që ta përcillni këtë mesazh në Ukrainë”, tha Gërvalla.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se shpreson që kjo mbështetje, përfshirë edhe ato të Bashkimit Evropian, ta ndihmojnë popullin e Ukrainës.

“Solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është i dukshëm në shumë mënyra, duke përfshirë ‘Gazetarët në Programin Rezident’. Kosova është rreshtuar me pothuajse të gjitha qëndrimet e përbashkëta të politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dhe unë mezi e pres ditën – në një të ardhme jo shumë të largët – kur Kosova do të merr pjesë në Misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kosova me veprimet e saj po dëshmon se ku e ka vendin”, deklaroi Wigemark.

Edhe Nga Kosova nisen 12 automjete me ushqime për në Ukrainë LAJMET E MBRËMJES Nga Kosova nisen 12 automjete me ushqime për në Ukrainë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, deklaroi se lufta në Ukrainë është sfida më e rëndë gjeopolitike dhe e sigurisë për Evropën. Për rreshtimin e Kosovës krah BE-së dhe partnerëve perëndimorë, Szunyog, tha se ky është mesazh i fuqishëm “dhe ne po e marrim këtë mesazh qartë si një demonstrim se Kosova i përket familjes së vendeve perëndimore”.

Deri më tani, EULEX-i i ka dhuruar EUAM-it (Misioni i BE-së në Ukrainë) 35 jelekë antiplumb, 35 helmeta mbrojtëse dhe pajisje shtesë.

“Misioni ka ndarë gjithashtu ekspertizën e tij në hetimin e krimeve të luftës me kolegët në EUAM Ukrainë, të cilët i mbështesin autoritetet ukrainase në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës të kryera gjatë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Muajin e kaluar, EULEX-i dorëzoi donacione të materialeve ndryshme dhe kontribute në para të mbledhura nga stafi i EULEX-it për 23 familje të zhvendosura brenda vendit përmes EUAM Ukrainë”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.