Me nga 15 vjet burgim i ka dënuar Gjykata Themelore në Prishtinë Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin, të akuzuar për dhunimin seksual të një gruaje shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Gjykimi ndaj tyre është zhvilluar në mungesë.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka thënë të hënën se Rajkoviqi dhe Deniqi e maltretuan dhe plaçkitën popullatën shqiptare, si dhe e dhunuan viktimën “D1” në një lagje të Prishtinës, në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë të uniformuar.
“Nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar përtej çdo dyshimi se rreth datave 23, 25 maj 1999, forcat serbe e kishin marrë një ofensivë në këtë lagje, ku në mesin e shtëpive të tjera kishin hyrë edhe në shtëpinë e të dëmtuarit D2. Gjithashtu, Gjykata përtej çdo dyshimi e ka vërtetuar mënyrën se si është dhunuar, duke u tërhequr zvarrë, duke iu grisur rrobat e që pas policit të parë ajo vazhdon të dhunohet nga pjesëtarë të tjerë”, ka thënë gjyqtari Beqiri.
Beqiri ka thënë se dëshmitari “D2” ka arritur t’i identifikojë të akuzuarit nëpërmjet fotografive.
“Dëshmitari ‘D2’ është dëshmitari kyç, i cili ka qenë së bashku me viktimën, i cili në dëshminë e tij ka treguar se ka arritur ta identifikojë kryerësin Ivica Rajkoviq, pasi që të njëjtin e ka njohur edhe më parë si polic. Po ashtu, ky dëshmitar ka arritur ta identifikojë edhe të akuzuarin tjetër, Deniq. I përshkruan karakteristikat e tij, se në procesin e kryerjes e ka identifikuar të akuzuarin Deniq, si i akuzuari i parë i cili e ka dhunuar të dëmtuarën”, ka thënë ai.
Në shpallje të aktgjykimit i pranishëm në gjykatore ka qenë edhe i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës, Ramadan Nishori.
“U bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve dhe të mbijetuarave që t’i lajmërojnë rastet, t’i denoncojnë në Polici, sepse ndoshta do të mund të arrestohen sa më shpejt ata kriminelë”, ka deklaruar Nishori.
Aktgjykimin e kanë mirëpritur në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
“Të mbijetuarat që i kanë fituar këto raste nuk kanë arritur të dalin publikisht dhe tash janë bashkë me stafin duke e pritur këtë aktgjykim, që sigurisht ka qenë i mirëseardhur. Fatkeqësisht gjykimi është zhvilluar në mungesë, në pamundësi që m’i sjellë dhe me kërku llogari prej tyre”, ka thënë Fatmire Haliti, monitoruese në QKRMT.
E, në Prokurorinë Speciale kanë thënë se vendimi shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Rajkoviqit e Deniqit në nëntor të vitit 2023.