Arbëri

Gjykim në mungesë, nga 15 vjet burgim Rajkoviqit e Deniqit për dhunë seksuale gjatë luftës

Gjykim në mungesë, nga 15 vjet burgim Rajkoviqit e Deniqit për dhunë seksuale gjatë luftës

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka dënuar me nga 15 vjet për dhunë seksuale gjate luftës Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin.

Gjykimi është mbajtur në mungesë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri, Rajkoviqi dhe Deniqi, në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë kryer veprën “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 14 shtator të vitit 2023, ka ngritur aktakuzë me pretendimin se gjatë kohës së luftës në Kosovë, respektivisht në Prishtinë, dy të akuzuarit bashkë me persona të tjerë, kanë maltretuar dhe plaçkitur popullatën shqiptarësi dhe kanë dhunuar viktimën D1.

Sipas viktimës D1, e cila ka qenë dëshmitare, i akuzuari Deniq ka filluar dhunimin i pari, e më pas e ka dhunuar edhe Rajkoviq. 

Ky është aktgjykimi i parë i shpallur në mungesë, për dhunë seksuale gjatë luftës.

Në shpallje ta aktgjykimit ka qenë prezent edhe Ramadan Nishori, i mbijetuari i parë burrë i dhunë seksuale që ka folur publikisht. 

Pas shpalljes së aktgjykimit ai ka thënë se janë shumë të gëzuar për vendimin. 

“U bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve dhe të mbijetuarave që t’i lajmërojnë rastet, t’i denoncojnë në Polici, sepse ndoshta do të mund të arrestohen sa më shpejt ata kriminelë”, është shprehur ai.

Fatmire Halili, nga Qendra Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se është fatkeqësi që nuk ka qenë e mundur që të dënuarit të arrestohen. 

Megjithëkëtë ajo ka thënë se vendimi është një satisfaksion për të mbijetuarit.