LAJMET E MBRËMJES

Në komunat e veriut ka nisur ofrimi i shërbimeve kadastrale

Qytetarët e katër komunave veriore nga e hëna kanë mundësinë t’i nxjerrin dokumentet kadastrale në komunat e tyre. Sipas përfaqësuesve të institucioneve qendrore, ky shërbim do t’u kursejë qytetarëve në këtë pjesë të vendit kohë e para, meqë deri më tash për këto shërbime ata kanë udhëtuar deri në Prishtinë

Banorët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, që nga e hëna e kanë mundësinë që të pajisen me dokumente të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në komunat e tyre. Deri më tani, atyre u është dashur të shkojnë në Prishtinë për t’i kryer këto shërbime.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u bëri thirrje qytetarëve t’i shfrytëzojnë këto zyra.

“Kemi hapur zyrën e Agjencisë Kadastrale ku munden të gjithë qytetarët e Komunës së Mirtovicës së veriut të vijnë e të kryejnë të gjitha shërbimet në Agjencinë Kadastrale. Unë i bëj ftesë, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë e t'i shfrytëzojnë mundësitë”, ka thënë Atiqi.

Për ta parë procesin nga afër, në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të hënën qëndruan ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësuesi i drejtorit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti.

“Në Mitrovicë sot u rihap sot zyra komunale kadastrale. Ka qenë në bazë të marrëveshjes së mëhershme e hapur, ka funksionuar një kohë e pastaj është mbyllur. Sot po ashtu e bëjmë hapjen edhe të zyrave komunale kadastrale për herë të parë, që nuk kanë qenë më herët, në Komunën e Zveçanit, në Komunën e Leposaviqit dhe në Komunën e Zubin Potokut - ku edhe atje do të kenë mundësi qytetarët që të shkojnë e t'i marrin certifikatat e pronësisë, respektivisht kopjen e planit, fletën poseduese në zyrat komunale”, ka thënë ministri Aliu.

Ndërkaq, sipas zëvendësdrejtorit të Agjencisë, Avni Ahmeti, ky shërbim është në funksion të përmbushjes së të drejtave kushtetuese të qytetarëve në veri.

“Në baza ditore kemi pasur ankesa të qytetarëve të këtyre komunave për koston e ardhjes në Prishtinë, për koston apo shpenzimin e kohës së tyre për ta marrë një certifikatë dhe një kopje të planit - një shërbim që është i garantuar edhe me Kushtetutë. Tash këto do t'i kenë në komunat aktuale dhe do të kenë qasje të drejtpërdrejtë, të lehtë, të shpejtë dhe me një kosto shumë më të ulët”, ka theksuar Ahmeti.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje sa i përket kadastrit më 2011, që parasheh kthimin e regjistrave kadastralë të Kosovës prej Serbisë, të cilat u morën më 1999.
Marrëveshja nuk është përmbushur për fajin e Serbisë, ka treguar Ahmeti.
“Sa i përket aspektit teknik, marrëveshja është nënshkruar më 2011, mirëpo nuk ka pasur asnjë lëvizje në raport me kthimin e dokumenteve nga ana e Serbisë. Në bazë të informacioneve që kemi, atje është skanuar i gjithë dokumentacioni, mirëpo zyrtarisht nuk na është dorëzuar asnjëherë deri më sot. Ndërkaq, sa u përket zyrave paralele ka mundësi që lëshojnë certifikata kadastrale, mirëpo të cilat nuk janë të vlefshme dhe nuk kanë ndonjë efekt juridik sa u përket institucioneve dhe kryerjes së një aktiviteti zyrtar, ligjor në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.