Një muaj më parë, janë bërë 15 vjet që nga koha kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për regjistrat kadastralë. Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar Serbinë për moszbatimin e saj. Ai ka thënë se rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor për qytetarët që të sigurojnë mbështetjen publike e garantues për siguri juridike.
Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar sfidë të veçantë për shtetin mosdorëzimin e dokumentacionit kadastral nga ana e Serbisë.
Në aktivitetin përmbyllës të projektit PIAKOS, i cili për synim ka përmirësimin e qasjes në regjistrimin e tokës dhe pronës, kryeministri ka thënë se marrëveshja për këtë çështje me fqinjin verior nuk është zbatuar.
“Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro Beogradit zyrtar donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin. E pavarësisht këtyre sfidave, institucionet e shtetit dhe shoqëria civile po punojnë bashkë që të bëjnë më të mirën e mundshme për qytetarët”, ka thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia, në shtator të vitit 2011, arritën marrëveshjen për Regjistrat Kadastralë. Marrëveshja synonte krijimin e një kadastri të besueshëm në Kosovë, i cili do të ndihmonte në mbrojtjen e pretendimeve pronësore legjitime të qytetarëve.
Zbatimi i marrëveshjes parashihej të fillonte një vit pas arritjes, por në atë kohë u pengua nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila shpalli marrëveshjen jokushtetuese. Në anën tjetër, edhe Kosova nuk e pati miratuar në kohë ligjin për themelimin e Agjencisë së re Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Pos kësaj marrëveshje, Serbia nuk ka zbatuar edhe të tjera të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai ka përmendur gjithashtu regjistrimet kadastrale në veri të Kosovës, përfshirë emërtimin e rrugëve në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë, si dhe regjistrimin e pronave të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë.
“Përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe në përgjithësi të programeve të rregullimit hapësinor, për herë të parë kemi bërë edhe shtrirjen zyrtare të sistemit të adresave. Agjencia Kadastrale ka dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm sa u përket edhe regjistrimeve në veri të Kosovës, përfshirë këtu emërtimin e rrugëve në katër komunat atje: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Kemi verifikuar e regjistruar mbi 23.600 prona për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, duke garantuar barazi administrative dhe ligjore në gjithë territorin e Republikës”, ka deklaruar kryeministri.
Krahas për moszbatimin e marrëveshjes, kryeministri Kurti ka folur edhe për çështje të tjera që lidhen me dokumentet e pronës. Ai ka theksuar se rregullimi i këtij dokumentacioni nga familjet, është edhe kusht për qasjen në mbështetjen publike, përfshirë programet e renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe për përfitim nga projekti i banimit social.
“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje, rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj apo programet tona të përfshirjes në banimin social adekuat. Qeveria ka ndërmarrë reforma konkrete në pronë dhe kadastër. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes projektit REGIP, kemi shtyrë përpara rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në gjithë Kosovën. Po punojmë me ngulm dhe me mbikëqyrje të rreptë që ky projekt të përmbushë të gjitha obligimet e planifikuara me kohë, në mënyrë që qytetarët t’i zgjidhin problemet e grumbulluara ndër shumë vjet”, ka deklaruar kryeministri.
Në këtë pikë, ka përmendur edhe masat e Qeverisë për mbështetjen e familjeve në nevojë dhe zhvillimin e programeve të banimit social.
“Në kuadër të projektit për banim social adekuat kemi ndarë 37 milionë euro për 773 njësi banimi në 21 komuna. Përmes programeve të veçanta po rindërtojmë e renovojmë dhjetëra shtëpi për familjet në nevojë dhe ato që kthehen në pronat e tyre, ndërsa po punojmë për bazën e të dhënave në nivelin kombëtar të banimit social dhe strategjinë kombëtare të banimit”, ka deklaruar kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë ka folur edhe për masat që janë ndërmarrë për të parandaluar abuzimet, falsifikimet dhe tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Ai ka theksuar se rastet e dyshimta në proceset e shpronësimit dhe të kadastrit po përcillen tek organet e drejtësisë.
“Pastaj kemi vendosur një standard të ri të llogaridhënies. Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proces të shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në Prokurori, meqë prona publike i takon qytetarëve dhe shtetit, që do të thotë se u takon të gjithëve dhe askujt në veçanti”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se brenda 10 vjetësh në Kosovë është shumëfishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët.
“Në vitin 2016, kanë qenë rreth 100 prona në të gjithë Kosovën që janë regjistruar në emër të të dy bashkëshortëve të këtij çifti. Dhe sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31.000. Pra, kemi një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, ka thënë Kurti.
Projekti PIAKOS është lansuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnime (ATRC) dhe Banka Botërore.