Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Serbia s’e ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2011

Albin Kurti

Foto: Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në vitin 2011.

Në fjalimin që e ka mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, Kurti ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjë kopje të dokumentacionit.

“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar me datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin”, ka thënë Kurti, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri ka theksuar se, pavarësisht kësaj çështjeje, institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile po vazhdojnë bashkëpunimin për përmirësimin e shërbimeve kadastrale dhe zgjidhjen e problemeve pronësore të qytetarëve.

Duke folur për rëndësinë e të drejtës së pronës dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike e shoqërisë civile, Kurti ka thënë se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike, mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve.

“Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje. Banesa është e drejtë e njeriut dhe nuk mund të kuptohet jeta cilësore pa banim të sigurt”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka theksuar se rregullimi i dokumentacionit pronësor nuk është vetëm çështje administrative, por edhe kusht për qasjen në mbështetjen publike, përfshirë programet e renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe banimin social.

“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje, rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj apo programet tona të përfshirjes në banimin social adekuat”, ka deklaruar Kurti. 

Në fjalën e tij, Kurti ka përmendur edhe masat e Qeverisë për mbështetjen e familjeve në nevojë dhe zhvillimin e programeve të banimit social.

“Në kuadër të projektit për banim social adekuat kemi ndarë 37 milionë euro për 773 njësi banimi në 21 komuna. Përmes programeve të veçanta po rindërtojmë e renovojmë dhjetëra shtëpi për familjet në nevojë dhe ato që kthehen në pronat e tyre, ndërsa po punojmë për bazën e të dhënave në nivelin kombëtar të banimit social dhe strategjisë kombëtare të banimit”, ka deklaruar kryeministri.

Projekti PIAKOS ka synuar të ndihmojë qytetarët në përmirësimin e qasjes në të drejtat pronësore, me fokus të veçantë në mbështetjen për gratë dhe në lehtësimin e procedurave për regjistrimin e pronave.