Ahmeti foli të mërkurën në konferencën e AKK-së për projektin “Ndërlidhja e qytetarit me adresën zyrtare”.
Drejtori paralajmëroi se për shumicën mund të duket thjesht administrative, por “në thelb bëhet fjalë për shumë më tepër”.
“E dimë që për një pjesë të madhe të njerëzve, kjo temë mund të duket thjesht administrative. Por në thelb, bëhet fjalë për shumë më tepër: për rend, për të drejta, për qasje më të lehtë në shërbime, për ndërtimin e një shteti më funksional dhe gjithëpërfshirës. Nga data 1 tetor 2024 kemi filluar zyrtarisht projektin për ndërlidhjen e qytetarit me adresën zyrtare, ku kemi bërë fushatë intensive dhe punë të palodhshme për të informuar qytetarët për rëndësinë e këtij procesi”, ka thënë drejtori Ahmeti, transmeton EO.
Ai u shpreh krenar që sot janë mbi 220 mijë qytetarë që tashmë e kanë bërë deklarimin e adresës zyrtare.
“Kjo është inkurajuese, por ende jo e mjaftueshme, sepse në një shoqëri të drejtë dhe të organizuar, secili qytetar duhet të jetë i regjistruar me adresë të saktë, ashtu siç i takon një shteti modern dhe funksional. Një qytetar pa adresë zyrtare është një qytetar i përjashtuar nga sistemi.
Pa adresë të saktë, nuk mund të ketë plane zhvillimore reale, nuk mund të ketë shërbime cilësore, si nga ato administrative e deri tek ato më emergjente siç janë shërbimet ambulante, zjarrfikësit apo policia”, shtoi ai.
Drejtori Ahmeti bëri të ditur se deklarimi mund të bëhet fizikisht në komunë apo online përmes platformës E-Kosova.
“Qëllimi i kësaj konference është që t’i informojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare se nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga ARC dhe AKK. Për më tepër, pa deklarimin e adresës zyrtare, qytetarët nuk mund të pajisen me certifikatë të lindjes apo certifikatë të pronës. Për të lehtësuar këtë proces, kemi bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë për Regjistrim Civil dhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit, dhe kemi mundësuar që deklarimi të bëhet edhe online përmes platformës E-Kosova. Pra, përveç mënyrës duke u paraqitur fizikisht në zyrat e gjendjes civile, çdo qytetar mund ta bëjë deklarimin lehtësisht, nga telefoni apo kompjuteri i tij, në vetëm pak minuta”, ka deklruar ai.
Ahmeti më tej tha se kjo është një reformë, një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe një standard i ri në mënyrën se si shteti funksionon për qytetarët e vet, duke shtuar se inkurajojnë të gjithë qytetarët që të deklarojnë adresën zyrtare.
“Komunat kanë formuar tashmë komisionet për emërtimin e rrugëve dhe janë në proces të përfundimit të këtij hapi të rëndësishëm. Njëherësh kemi përmbyllur me sukses edhe një nga projektet më të rëndësishme në fushën e adresave, duke vendosur plot 341,756 tabela me numra hyrjesh në plot 20 komuna të Republikës së Kosovës. Me përfundimin e këtij projekti, Kosova ka hedhur një hap të jashtëzakonshëm drejt një sistemi të adresave më të sakta, të unifikuara dhe të standardizuara, rrjedhimisht duke lehtësuar orientimin për qytetarët, intervenimin e shpejtë të shërbimeve emergjente, efikasitetin e institucioneve dhe funksionimin më të mirë të bizneseve”, ka thënë drejtori i Agjencisë Kadastrale.